ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Publikimi i raporteve financiare të subjekteve politike dhe kandidatëve: A është i mjaftueshëm?

Eugen Cakolli

Rreth dy javë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte publikuar Dosjen e Informimit Publik për Subjektet Politike dhe Kandidatët e Zgjedhjeve, në të cilën janë paraqitur të dhëna lidhur me donatorët e subjekteve politike dhe raportet financiare të fushatës së subjekteve politike dhe kandidatëve të zgjedhur të tyre.

Një veprim i tillë i KQZ-së, i ardhur pikërisht gjatë Javës Kundër Korrupsionit, mund të shihet si ogurmbarë, pasi që ka ndërprerë praktikën e deritanishme të mospublikimit të këtyre raporteve, nën arsyetimin se të njëjtat duhet të publikohen vetëm pasi të jenë të audituara, e që si proces kishte marrë vite të tëra. Subjektet politike kanë deklaruar mbi 200 mijë euro donacione, ndërsa mbi dy milion euro shpenzime vetëm gjatë periudhës dhjetë-ditore të fushatës. Por, kjo është vetëm një anë e medaljes.

Nëse të dhënat e publikuara nga KQZ-ja lidhur me shpenzimet e subjekteve politike gjatë fushatës krahasohen me përllogaritjen e bërë nga rrjeti i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, atëherë vihen në pah dallime të mëdha në këto shuma, të cilat shkojnë deri në mbi 40%. Nëse përfshihen shpenzimet për organizim të aktiviteteve gjatë fushatës zgjedhore dhe shpenzimet për reklamim apo transmetim të ngjarjeve të fushatës zgjedhore, sipas DnV-së, subjektet politike të monitoruara kanë shpenzuar gjithsej rreth 3 milionë e 636 mijë euro gjatë fushatës zgjedhore 10 ditore. Gjithsej, sipas këtyre përllogaritjeve, subjektet politike për fushatën e tyre kanë shpenzuar rreth 1,5 milion euro më shumë sesa që kanë deklaruar në raportet e tyre financiare. Një fakt i tillë, tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kontrolli financiar dhe auditimi i mirëfilltë i këtyre raporteve.

Kompetencat aktuale të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim janë deri diku të pamjaftueshme në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së plotë të subjekteve politike. Madje, me amendamentet që ishin miratuar nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa gjatë leximit të dytë të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, ishte cenuar funksionimin dhe pavarësia e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike, duke ia hequr kësaj të fundit mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave, që paraqet një nga elementet më substanciale të transparencës financiare të subjekteve politike. Tentativa për bartjen e këtyre funksioneve në një trup politik si KQZ-ja, siç ishte provuar të bëhet me amendamentet në fjalë, bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës.

Mënyra e organizimit, pavarësia, funksionimi dhe kontrolli financiar që mund të zbatojë ZRPPC-ja duhet të bëhet duke marrë praktikat më të mira të vendeve tjera. Këto çështje duhet medoemos të rregullohen me reformën zgjedhore, që duhet të trajtojë me vëmendje të shtuar financimin e subjekteve politike dhe kontrollin financiar të shpenzimeve të tyre.

Postime të ngjajshme
ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja e financave të subjekteve politike në Kosovë: Pritshmëritë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja Parlamentare e financimit të subjekteve politike në Kosovë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Platformat online – si front i ri për shpenzime të pagjurmuara gjatë fushatave elektorale

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Zëri i shoqërisë civile kundër Projekligjit për financimin e subjekteve politike

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *