Eugen Cakolli
Përkundër pritshmërive dhe kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile, me trendët aktualë të organizimit të fushatës parazgjedhore në Kosovë do të jetë pothuajse e pamundur që të evidentohen shpenzimet e bëra nga subjektet politike në parafushatë. Madje, në të ardhmen, nëse nuk ndërmerren iniciativa serioze për ndryshimin e dispozitave përkatëse ligjore, një fenomen i tillë vetëm sa do të përkeqësohet.
Edhe pse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon nga subjektet politike të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhje që të dorëzojnë Raportet e Deklarimit Financiar në KQZ, më së largu 45 ditë pas zgjedhjeve, kjo dispozitë nuk është respektuar nga pjesa më e madhe e subjekteve politike, ngase sanksionet që janë të parapara në këto raste, janë të papërfillshme në krahasim me shumën e shpenzuar. Prandaj, është e domosdoshme që procesi i reformës zgjedhore të përfshijë edhe rregullimin e periudhës para fushatës, si dhe pashmangshmërisht ashpërsimin e sanksioneve ndaj subjekteve politike që shkelin legjislacionin zgjedhor, sidomos në raport me transparencën financiare.
Mosdeklarimi i vërtetë i shpenzimeve të bëra nga subjektet politike në periudhën 90 ditë para zgjedhjeve është kryesisht rezultat i mungesës së xhirollogarive transparente bankare të subjekteve tona politike, si dhe burimet e dyshimta të financimit të subjekteve politike. Në rast se Kosova do të kishte legjislacion të bazuar në praktikat e marra nga Republika e Çekisë, atëherë subjektet politike do të krijonin xhirollogari të posaçme për fushatën zgjedhore, atëherë do të ishte dukshëm më e lehtë të evidentohen të gjitha transaksionet dhe shpenzimet e bëra.
Kuvendi dhe Qeveria e re që do të dalin nga zgjedhjet e 6 tetorit duhet që ta trajtojnë me prioritet procesin e reformës zgjedhore. Lidhur me këtë, fokus i veçantë duhet t’i dedikohet financimit të subjekteve politike. Praktikat dhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe ato të shoqërisë civile, të cilat ishin dhënë gjatë procesit të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, janë bazë e mirë dhe do t’i shërbejë ekzekutivit dhe legjislativit të ri për përmbylljen e kësaj teme.
Praktikat që kam përmendur lidhur me transparencën financiare të subjekteve politike janë të marra nga Republika e Çekisë, pas një vizite të realizuar atje. Ky vend mund të shërbejë pa dyshim si një vend model për avancimin e legjislacionit zgjedhor sa u përket transparencës financiare, mbikëqyrjes së financave të partive politike dhe llogaridhënies së tyre ndaj publikut.