ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Rëndësia e transparencës së financave të subjekteve politike për luftën kundër korrupsionit

Violeta Haxholli
V

Një nga sfidat e shtetit të Kosovës që nga pas lufta mbetet niveli i korrupsionit në shkallë të gjerë. Institucionet e drejtësisë në vend kanë hasur në sfida në luftimin e kësaj dukurie, duke dështuar në ndjekjen dhe dënimin e mirëfilltë të rasteve të korrupsionit sidomos ato të profilit të lartë. Këto raste janë karakterizuar kryesisht me lidhje në mes të politikës dhe shpenzimit të parasë publike. Në këtë drejtim, rrethi vicioz fillon me financimin e subjekteve politike të cilat marrin donacione nga bizneset e fuqishme, favore këto që pastaj subjektet politike ua kthejnë këtyre bizneseve me anë të kontraktimit të tenderëve publik. Përmes donacioneve për subjektet politike, bizneset e mëdha sigurojnë operimin e tyre të papenguara, duke zhvilluar aktivitetet e tyre në një ambient ku mungon sundimi i ligjit dhe konkurrenca e drejtë ekonomike.

Disa nga bizneset ofrojnë donacione për të gjitha subjektet politike që potencialisht mund të marrin pushtetin edhe në të ardhmen, për të garantuar operim të lirë edhe në rast të ndryshimeve politike në nivelet e larta qeverisëse. Nga publikimi i të dhënave zyrtare nga subjektet politike ofrohen deri diku informacione se cilat biznese japin donacione për cilat subjekte. Kjo iu mundëson akterëve mbikëqyrës duke përfshirë edhe shoqërinë civile që të shohin se a ka lidhshmëri mes kompanive që lidhin kontrata me institucionet publike, subjektit që është në pushtet në atë periudhë dhe donacioneve që merr subjekti respektiv nga këto kompani. Një informacion i tillë mund të jetë i rëndësishëm edhe për institucionet e drejtësisë për hetimet potenciale rreth procedurave të tenderimit të cilat mund të kenë shkaktuar keqpërdorim të parasë publike për përfitim të ndonjë grupi të caktuar. Kjo është edhe njëra ndër arsyet që organizatat e shoqërisë civile në vend vazhdimisht kanë avokuar për transparencë sa më të lartë të financave të subjekteve politike në mënyrë që akterët shtetëror, shoqëria civile dhe publiku të jenë të mirë informuar lidhur me burimet e financimit të çdo subjekti politik në vend. Transparenca në financimin e fushatave, subjekteve politike dhe sistemeve demokratike është në thelb të agjendës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit. (Idea, Policy Brief, March 2019).

Disa nga organizatat jo qeveritare kanë realizuar edhe pasqyra elektronike të rrjetëzimit të lidhjeve të bizneseve me politikën (Cohu, faqja zyrtare). Megjithatë, vështirësitë në identifikim janë hasur në rastet kur bizneset, përveç kompanisë bazë operojnë edhe me kompani të tjera që në thelb kanë të njëjtin pronar ose aksionarë, mirëpo emrat e të cilëve zyrtarisht nuk përfaqësojnë këto kompani. Këto praktika përdoren me qëllim për të humbur lidhjen mes bizneseve dhe politikës dhe për të siguruar eliminim të konkurrencës në garën për tenderët publik. Në anën tjetër, kjo metodë iu mundëson edhe subjekteve politike në pushtet që të arsyetojnë dhënien e kontratave për të njëjtën kompani e cila përfaqësohet nga kompani të tjera me përfaqësues të ndryshëm, por pronar të njëjtë. Prandaj rëndësia e transparencës së financimit të subjekteve politike është jetike për luftën kundër korrupsionit. Në këtë drejtim avokimi i shoqërisë civile tek subjektet politike për të publikuar të dhëna të mirëfillta lidhur me donacionet e tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këto përpjekje janë në përputhje edhe me kërkesat e Bashkimit Evropian për Kosovën, e cila vazhdon të listojë transparencën në financimin e subjekteve politike si një nga shtyllat e kapitullit për luftën kundër korrupsionit.

Postime të ngjajshme
ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja e financave të subjekteve politike në Kosovë: Pritshmëritë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja Parlamentare e financimit të subjekteve politike në Kosovë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Platformat online – si front i ri për shpenzime të pagjurmuara gjatë fushatave elektorale

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Zëri i shoqërisë civile kundër Projekligjit për financimin e subjekteve politike

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *