ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja Parlamentare e financimit të subjekteve politike në Kosovë

Violeta Haxholli

Kuvendi i Kosovës realizoi me vonesa mandatin e tij mbikëqyrës ndaj shpenzimeve të fushatave zgjedhore të subjekteve politike. Kjo mundësoi fshehjen e shpenzimeve nga ana e subjekteve politike dhe shkaktoi vështirësi në auditimin e këtyre shpenzimeve nga ana e auditorëve të përzgjedhur nga Kuvendi.

Sipas ligjeve në fuqi, Kuvendi i Kosovës ka një rol të theksuar në mbikëqyrjen e financimit të subjekteve politike në Kosovë. Përveç që ka miratuar ligjin e veçantë për financimin e subjekteve politike, Kuvendi ndan fonde për këto subjekte dhe ka për detyrë sigurimin e llogaridhënies së shpenzimeve të subjekteve politike gjatë fushatave zgjedhore. Po ashtu, një komision i veçantë i Kuvendit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, merret drejtpërdrejt me përzgjedhjen e mekanizmave të auditimit të shpenzimeve të subjekteve politike dhe shqyrtimin e të dhënave nga auditimi.

Ligji për Financimin e Subjekteve Politike përcakton shumën që ndan Kuvendi për subjektet politike. Sipas nenit 10, paragrafit 1 të këtij ligji, për financimin e fushatës zgjedhore qendrore dhe lokale, për zgjedhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme, Kuvendi, nga Fondi, ndan mjete me propozim të Qeverisë por jo më shumë së 0.05% të buxhetit të Kosovës. Ky Ligj po ashtu përcakton llogaridhënie të KQZ-së ndaj Kuvendit në lidhje me shpenzimet e këtij fondi. Kështu, neni 19, paragrafi 8 i këtij Ligji lidhur me kontrollin financiar thotë që, KQZ-ja përgatit një raport vjetor për Kuvendin e Republikës së Kosovës për shpërndarjen dhe shpenzimin e mjeteve nga Fondi. Kjo dispozitë është e përfshirë edhe në rregullën zgjedhore të KQZ-së nr. 14/2015 mbi financimin e subjekteve politike dhe sanksionet.

Pas amandamentimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike në vitin 2013, neni 19 mbi kontrollin financiar u plotësua më tutje dhe përcaktoi që Raportet Vjetore Financiare dhe Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, do të auditohen në përputhje me standardet e kontabilitetit të zbatueshme në Kosovë, nga auditorë të cilët do ti përzgjedh Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nëpërmjet një thirrje të hapur publike për aplikim. Më herët kjo gjë kishte qenë detyrë e KQZ-së.  Ky ndryshim i Ligjit e bëri Kuvendin institucionin kryesor që mbikëqyrë dhe garanton llogaridhënie për shpenzimet e subjekteve politike.

Në shkurt të vitit 2019, Kuvendi përzgjodhi një kompani për auditimin e raporteve financiare dhe të deklarimit financiar për fushatën zgjedhore të vitit 2017. Të njëjtën kompani Kuvendi e kishte përzgjedhur edhe para dy viteve për auditimin financiar të subjekteve politike për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016. Auditimi për këtë periudhë ishte realizuar me vonesë pasi që Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ishte vonuar tre vite në përzgjedhjen me kohë të auditorëve. Për këtë Kosova kishte marrë kritika edhe nga ana e Bashkimit Evropian.

Vonesat në auditimin e shpenzimeve të subjekteve politike paraqesin problem edhe për vetë kompanitë e auditimit që përzgjidhen për të realizuar këtë detyrë. Këtë e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e kompanisë së auditimit të përzgjedhur nga Kuvendi Audit & Conto, gjatë  shqyrtimit të raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në mbledhjen e mbajtur me 24 maj në këtë komision, përfaqësuesi i kësaj kompanie pati deklaruar se fakti që kompania zgjidhet 2-3 vite pas fushatave zgjedhore, është shumë e vështirë të gjenden të dhëna nga shpenzimet e partive politike dhe ato mund t’ i fshehin financat duke paraqitur probleme në gjetjen e financimit.

Kosova me 6 tetor të këtij viti mban zgjedhjet e parakohshme nacionale. Është me rëndësi që Kuvendi i Kosovës të realizojë me kohë auditimin e shpenzimeve të subjekteve politike për këtë fushatë zgjedhore. Sipas ligjit këta auditorë duhet të përzgjidhen në janar të vitit 2020. Duke u bazuar në leksionet e të kaluarës, Kuvendi i Kosovës duhet ti kushtojë vëmendjen e duhur mbikëqyrjes së financimit të subjekteve politike, për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie të këtyre subjekteve ndaj institucionit më të lartë ligjvënës dhe publikut të gjerë.

Vazhdon… (Artikulli i radhës: Para fushatat zgjedhore dhe mungesa e rregullimit ligjor)

Postime të ngjajshme
ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja e financave të subjekteve politike në Kosovë: Pritshmëritë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Platformat online – si front i ri për shpenzime të pagjurmuara gjatë fushatave elektorale

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Zëri i shoqërisë civile kundër Projekligjit për financimin e subjekteve politike

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Rëndësia e transparencës së financave të subjekteve politike për luftën kundër korrupsionit

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *