ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Para fushata zgjedhore: mungesa e rregullimit ligjor

Violeta Haxholli

Fushatat zgjedhore të subjekteve politike në Kosovë fillojnë para afatit zyrtar të paraparë me legjislacionin për zgjedhjet. Periudha deri te hapja zyrtare e fushatës zgjedhore apo siç është quajtur ndryshe para fushata zgjedhore, karakterizohet me akitvitete të ndryshme të subjekteve politike që shkojnë në funksion të fushatës zgjedhore të subjekteve respektive. Duke shfrytëzuar vakumin ligjor i cili pamundëson sanksione për këto aktivitete, subjektet politike kanë pasur mundësinë që deri më tani të ushtrojnë të papenguara para fushatën zgjedhore. Ligji për zgjedhjet e përgjthshme parasheh që “Periudha e fushatës” është periudha prej tridhjetë ditëve për fushatën zgjedhore të subjekteve politike e cila përfundon një ditë para ditës së zgjedhjeve. Megjithatë, me vendim të KQZ-së kjo periudhë mund të jetë më e shkurtër, gjë që lejon hapësirë më të madhe për zhvillimin e para fushatës zgjedhore.

Fushata jo zyrtare e subjekteve politike apo para fushata zakonisht ka filluar qysh kur janë dhënë indikacionet e para se vendi do të shkojë drejtë zgjedhjeve. Në këtë drejtim, subjektet politike në koalicionin qeverisës kanë pasur mundësi dhe resurse më të mëdha për të realizuar aktivitete të para fushatës në krahasim me subjektet opozitare. Kjo ka rezultuar me konkurrencë të padrejtë në mes subjekteve në qeveri dhe në opozitë qysh pa filluar ende gara zyrtare zgjedhore. Ka pasur raste kur edhe vendimet qeveritare janë vënë në funksion të para fushatës, p.sh kur qeveritë kanë marrë vendime për rritje të pagave për sektorin publik, krijimin e skemave sociale për qytetarët ose vendime në favor të bizneseve të ndryshme, që potencialisht mund të kenë qenë edhe financues të subjekteve politike respektive. Përveç kësaj edhe resurset tjera publike qeveritare si veturat zyrtare, janë shfrytëzuar nga subjektet politike në koalicionin qeverisës për të realizuar aktivitete të para fushatës zgjedhore, duke përfshirë këtu edhe takime me qytetarë dhe vizita në kompani private.

Sa i përket shpenzimeve të subjekteve politike në veçanti gjatë para fushatës dhe fushatës zgjedhore, legjislacioni në fuqi parasheh deri diku llogaridhënie të subjekteve politike në këtë aspekt. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton që, çdo subjekt politik i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, dorëzon Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës së subjektit, duke i përfshirë të gjitha degët dhe pjesët përbërëse të tij, për periudhën që fillon nëntëdhjetë ditë para zgjedhjeve dhe me mbarim në ditën e zgjedhjeve. Ky raport për fushatën dorëzohet jo më vonë se dyzetë e pesë ditë kalendarike pas ditës së zgjedhjeve. Nëse subjekti poltik publikon Raportin Financiar të Fushatës pas afatit përfundimtar të paraparë, KQZ-ja mund ta sanksionojë subjektin respektiv me pagesa administrative në pajtim me rregullat.

Periudha prej 90 ditësh para zgjedhjeve e përcaktuar me këtë ligj mbulon deri diku edhe periudhën e para fushatës zgjedhore. Përveç në rastet kur subjektet politike fillojnë aktivitetet e fushatës disa muaj para zgjedhjeve. Ligji përcakton edhe llojet e shpenzimeve të subjekteve politike para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore. Në këtë drejtim, mallrat ose shërbimet për të cilat pagesat janë bërë para ose pas periudhës së fushatës, për përdorim gjatë periudhës së fushatës, po ashtu konsiderohen si shpenzime për fushatë.

Subjektet politike po ashtu kanë kufizime se sa mund të shpenzojnë për fushatën zgjedhore. Sipas ligjit, asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të bëjë tejkalime në shpenzime të fushatës mbi shumën që do të caktohet nga rregulla e KQZ-së jo më vonë se pesë ditë pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve. KQZ-ja përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës në përputhje me numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e fundit të freskuar të votuesve. Kjo dispozitë kufizon buxhetin për fushatën që një subjekt politik e ka në dispozicion. Mejgithatë, ky kufizim financiar për subjektin vlen vetëm për periudhën zyrtare të fushatës zgjedhore dhe jo edhe aktivitetet e realizura nga subjektet gjatë parafushatës.

Në fund, aktivitetet e subjekteve politike që realizohen para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore duhet të adresohen në kuadër të reformës zgjedhore. Mirëpo, kufizimet për para fushatën nuk duhet të kufizohen vetëm në ligjet për zgjedhjet dhe rregullat e KQZ-së. Kufizimi sidomos i vendimeve të qeverive në ikje që shkojnë në funksion të fushatave zgjedhore duhet të adresohet në Ligjin për Qeverinë. Një ligj i tillë do të përcaktonte llojet e vendimeve që mund të marrin qeveritë në ikje në mënyrë që të kufizohet mundësia e shfrytëzimit të mjeteve qeveritare për realizmin e para fushatës dhe fushatës zgjedhore. Po ashtu, duhet të garantohet edhe transparenca dhe llogaridhënia e financave dhe shpenzimeve të subjekteve politike për aktivitetet e zhvilluara gjatë dhe para fushatave zgjedhore.

Postime të ngjajshme
ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja e financave të subjekteve politike në Kosovë: Pritshmëritë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Mbikëqyrja Parlamentare e financimit të subjekteve politike në Kosovë

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Platformat online – si front i ri për shpenzime të pagjurmuara gjatë fushatave elektorale

ProgrametTransparenca e Subjekteve Politike

Zëri i shoqërisë civile kundër Projekligjit për financimin e subjekteve politike

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *