Prishtinë, 26 tetor 2010 – Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me mbështetje të Ballkan Trust for Democracy dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, ka organizuar të martën një punëtori me përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar disa nga çështjet më të rëndësishme të Ligjit për Zgjedhjet.
Në punëtorinë e Demokracisë në veprim, në bashkëpunim me KCSF-në, kanë marrë pjesë edhe ekspertë rajonal të zgjedhjeve me përvojë nga rrjetet monitoruese të zgjedhjeve, si Darko Aleksov nga ENEMO.
Temat e përzgjedhura dhe të trajtuara në këtë punëtori kanë pasur të bëjnë me zgjerimin e debatit publik mbi reformën zgjedhore dhe kontributin e shoqërisë civile në amendamentimin e ligjit zgjedhor në Kosovë.
Shoqëria civile ka arritur të dalë me disa rekomandime mbi ndryshimet e ligjit zgjedhor, të cilat më pas nëpërmjet Demokracisë në Veprim, u janë përcjellë në Grupin Punues për Zgjedhje, adresimit publik nëpërmjet mediave të shkruara dhe elektronike, si dhe nëpërmjet një letre që u është shpërndarë deputetëve të parlamentit para se të miratohet ligji zgjedhor.
Duke marrur parasysh rrethanat politike dhe institucionale në Kosovë dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor me procedura të përshpejtuara shoqëria civile ka qenë e hendikepuar në mundësinë për të dhënë rekomandime të cilat janë të nevojshme dhe do të reflektonin qëndrimet për një reforme zgjedhore.
Prandaj në këto rrethana temat e diskutuara dhe adresuara kanë qenë: Vëzhgimi i zgjedhjeve, Ankesat dhe Parashtresat, Pragu Zgjedhor, Kandidatët e pavarur dhe Votimi për subjekte politike dhe kandidatë.
Demokracia në Veprim angazhohet në reformimin e legjislacionit zgjedhor
2