1
Prizren, 19 nëntor 2010 – Demokracia në Veprim ka organizuar një tryezë diskutimi mbi “Reformën në Legjislacionin Zgjedhor dhe Edukimin e Votuesve”, me ç’rast pjesëmarrësit kanë vlerësuar se ndryshimet e bëra në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme janë minimale, ndërkohë është kërkuar që në të ardhmen duhet të thellohet edhe me tepër reforma zgjedhore me qëllim të përfaqësimit më të mirë të subjekteve politike dhe vetë qytetarëve. Po ashtu, në këtë tryezë si problematikë në vete është theksuar edhe mungesa e gatishmërisë së qytetarëve për daljen në votime. Kjo gatishmëri e qytetarëve për të marrë pjesë në votime nga ana e subjekteve politike shihet me këndvështrime të ndryshme. Vlen të ceket se manipulimet e procesit zgjedhor janë ndër shkaqet ku qytetarët kanë humbur interesimin e tyre për të qene pjesë e zgjedhjeve lokale. Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat. Në këtë tryezë janë prezantuar propozimet e “Demokracisë në Veprim” për reformën zgjedhore dhe dallimet e ligjit të vjetër në raport me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme. |