Prishtinë, 9 janar 2011 – Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim vazhdon vëzhgimin e procesit të rivotimit në Komunat e Skenderajt, Drenasit, Deçanit dhe në dy qendrat e votimeve në Malishevë e Lipjan.
Siç raportohet nga vëzhguesit tanë në terren, deri në orën 12 kanë votuar:
Në Skenderaj: 11.725 ose 23.77 %, Deçan: 4.669 ose 12.54 %, Drenas: 9.667 ose 20.72 % , Malishevë: 433 ose 14.6 %, dhe Lipjani 555 ose 23,56%.
Vëzhguesit e Demokracisë në Veprim pas kontaktimit nëpërmjet telefonit kanë raportuar këto parregullsi:
Në Drenas dhe Skenderaj janë evidentuar 31 raste të votimeve të dyfishta në 10 vendvotime. Në Koreticë të Epërme – Drenas, 0303e/01r, janë evidentuar 5 raste të votimeve të dyfishta, madje edhe kryesuesi i këshillit të këtij vendvotimit ka votuar dy herë pa u penguar nga askush. Ndërsa, në vendvotimin 0303e/02d një person ka asistuar votuesit në 8 raste. Po ashtu raportohet se në këtë qendër të votimit janë prezent persona të paautorizuar.
Në 38 vendvotime (22 në Skenderaj, 11 Drenas dhe 5 në Deçan), janë evidentuar raste të asistimit të më tepër se një personi.
Runikë – Skenderaj – në qendrën 2114b/03d ka pasur 3 raste të votimit pa dokumente identifikimi dhe 3 raste votimit të hapur.
Likovc – Skenderaj, 2103b/02r janë evidentuar raste kur nuk janë kërkuar dokumentet e identifikimit për të votuar.
Aqarevë – Skenderaj, në vendvotimin 2104b/01r një person është lejuar të votojë për dy (2) persona të moshuar për të cilët është thënë që nuk kanë mundësi të zbresin nga vetura për të hyrë në qendër të votimit dhe për të votuar.
Qikatovë e Re – Drenas, 0320e/02r, një person ka kërkuar që ta merr një fletëvotim me vete me arsyetimin që e ka një person me aftësi të kufizuara në shtëpi që dëshiron të votoj. Të njëjtit nuk i është dhënë fletëvotimi.
Deçan, 0101c/035 përfaqësues te një subjekti politik kanë shpërndarë biskota në vendvotime dhe kanë shfrytëzuar rastin për ti porositur votuesit që te votohet një kandidat i një subjekti politik.
Votime familjare: deri në orën 12:00 janë evidentuar mbi 300 raste të votimeve familjare në të pesë komunat.
Demokracia në Veprim kësaj radhe ka të angazhuar mbi 500 vëzhgues, nga dy për çdo vendvotim, një nga komunat përkatëse dhe një nga komunat të tjera të vendit si dhe 10 ekipe mobile të vëzhgimit.
Komunikatë për media [deri në ora 12:00]
1