1
Prishtinë, 15 prill 2011 – Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka organizuar konferencë pas Zgjedhore, me temën “Mësimet e nxjerra nga Zgjedhjet Parlamentare 2010 & Nevojat për Reformë Zgjedhore”, ku është diskutuar për procesin zgjedhor në tërësi dhe mënyrat më të mira për një reformim më substancial dhe gjithëpërfshirës zgjedhor. Me këtë rast, “Demokracia në Veprim” ka publikuar edhe tre raporte, atë të monitorimit të Zgjedhjeve Parlamentare 2010, të kostos së fushatës, si dhe analizën për reformën zgjedhore. Në panelin e parë, pjesëmarrësit diskutuan për periudhën parazgjedhore, vlerësimin e procesit, shpenzimet e fushatës, dhe funksionimin e KQZ-së dhe PZAP-së. Fillimisht, udhëheqësi i “Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu bëri një rekapitullim të procesit të monitorimit dhe sfidave të këtij koalicioni në procesin zgjedhor. Kryeziu potencoi nevojën për fillimin e procesit të reformave zgjedhore, duke mundësuar edhe një pjesëmarrje të gjerë. Më tej, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizatë që udhëhoqi “Demokracinë në Veprim”, paraqiti raportin e monitorimit të Zgjedhjeve Parlamentare 2010, si dhe rekomandimet e dala nga ky raport. Në panelin e parë diskutuan kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kryetari i PZAP-së, Shukri Sylejmani, deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, si dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini. Kryetarja Daka foli për punën e këtij institucioni. Ajo tha se në krahasim me kushtet dhe rrethanat aktuale, KQZ ka kryer një punë të shkëlqyeshme. Panelisti tjetër, kryetari i PZAP-it, Shukri Sylejmani, e vlerësoi raportin e Demokracisë në Veprim. Sylejmani tha se PZAPka kryer të gjitha ankesat në afatin e caktuar, duke mos ndikuar në vonesën e certifikimit të rezultateve. “Gjithsej kanë qenë 456 ankesa, 77 për qind më 12 dhjetor, 16 për qind më 9 janar dhe 3 për qind më 23 janar”, tha Sylejmani. Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami përmendi mënyrën elektronike të votimit, si mënyrë e mirë për të shmangur parregullsitë. Edhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri mbështeti këtë propozim. Por Beqiri vlerësoi se zgjedhjet në Kosovë nuk kanë qenë demokratike. Ardian Gjini i AAK-së, e vlerësoi raportin e Demokracisë në Veprim. Gjini më tej ka folur për parregullsitë e shumta që kanë përshkuar procesin zgjedhor. Në panelin e dytë është diskutuar për të përmbajtjen e reformës zgjedhore. Panelistët Adnan Merovci, ish-kryeshef i KQZ-së dhe Alban Krasniqi nga Vetëvendosje, kanë folur për mënyrat më të mira për reformë më gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, në panelin e tretë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambasadave të huaja, Christian Klein, Zëvendës Udhëheqës i Misionit, Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë, Norbert Rütsche, Sekretar i I-rë, & Këshilltar për Ndërtimin e Paqes Rajonale Ambasada e Zvicrës; Laura Nichols, drejtoreshë e NDI në Kosovë dhe Leon Malazogu, kanë folur për rolin e shoqërisë civile në procesin zgjedhor. |