Prishtinë, 28 shtator 2011, Demokracia në Veprim në bashkëpunim me Komisionin për amendamentimin e Kushtetutës lansoi sot fushatën për informimin e saktë dhe më kohë të qytetarëve në lidhje me procesin e amendamentimit të Kushtetutës si dhe vetëdijesimin e tyre mbi efektet e këtij procesi. Po ashtu, kjo fushatë do të ketë për qëllim që të sigurojë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe kontributin e tyre gjatë konsultimeve publike që do të organizohen në 11 qytete anembanë Kosovës.
Këto debate publike do të organizohen në sallat e kuvendeve komunale përkatëse dhe në panel do të kenë të ftuar anëtarët e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përkatësisht Demokracisë në Veprim. I ftuar në këtë debat do të jetë çdo qytetar i cili dëshiron të japë mendimin e tij lidhur me çështjet si:
- Kush mund të kandidohet për President?
- Kush mund të propozojë kandidatët për President?
- Si do të votojmë për zgjedhjen e Presidentit?
- Para kujt do të betohet Presidenti?
- Kur dhe si mund të shkarkohet Presidenti?
Si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit me votën e qytetarëve.
Merrni pjesë në debatin publik që do të organizohet në qytetin tuaj.
Me 4 tetor (e martë), në Prizren dhe Mamushë
Me 6 tetor (e enjte), në Mitrovicë
Me 11 tetor (e martë), në Drenas
Me 14 tetor (e premte), në Podujevë
Me 18 tetor (martë), në Gjakovë
Me 21 tetor (e premte), në Pejë
Me 25 tetor (e martë), në Ferizaj
Me 28 tetor (e premte), në Gjilan
Me 1 nëntor (e martë), në Graçanicë
dhe me 4 nëntor (e premte), në Prishtinë.
Sugjerimet tuaja mund t’i dërgoni edhe në adresën elektronike:
kushtetuta@assembly-kosova.org
ustav@assembly-kosova.org
Ky projekt është i mbështetur nga NDI dhe USAID.