DnV publikon rezultatet paraprake për 7 komunat e mëdha

by admin

03 nëntor 2013

03 nëntor 2013
Deklaratë preliminare lidhur me procesin e votimit në Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013
Prishtinë, 3 nëntor 2013 Demokracia në Veprim (DnV) është koalicion i organizatave joqeveritare i formuar në vitin 2007. Objektivi kryesor i koalicionit të OJQ-ve monitoruese “Demokracia në Veprim” është sigurimi i një procesi zgjedhor sipas standardeve universale për zgjedhje të lira e të drejta dhe të barabarta dhe vëzhgim të paanshëm të procesit zgjedhor që inspiron besim tek qytetarët.

DnV me angazhimin e 1600 vëzhguesve ka monitoruar procesin e votimit në Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, në ditën e votimit, DnV ka pasur Qendrën e saj të Thirrjeve dhe komunikimit me publikun me 130 vullnetarë të angazhuar.

Sot, DnV lëshon për media deklaratën preliminare për të gjeturat dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit. Për më shumë, DnV do të vazhdojë të përcjellë edhe procesin e balotazhit në të gjitha ato komuna ku do të realizohet një proces i tillë.

Dalja në votime

Bazuar në të dhënat e vëzhguesve të DnV-së, të drejtën për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës e kanë shfrytëzuar 803.359 votues apo 48,83% nga gjithsej 1.779.357 sa ishin të regjistruar në listën përfundimtare të votuesve.

Administrimi teknik i procesit zgjedhor

Nga aspekti i organizimit teknik, KQZ ka siguruar që materiali i domosdoshëm zgjedhor të jetë i pranishëm në të gjitha vendvotimet në kohën e duhur, si dhe në përgjithësi nuk është shënuar ndonjë rast ku ka pasur vërejtje mbi kualitetin e këtyre materialeve.


Gjetjet e përgjithshme nga dita e zgjedhjeve: Bazuar në të dhënat e vëzhguesve të DnV-së, vlerësimi i përgjithshëm është që procesi zgjedhor në ditën e votimit për Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013, përkundër disa parregullsive të vogla, ka qenë një proces zgjedhor i qetë, i rregullt dhe demokratik, me përjashtim të veriut të vendit.   DnV e vlerëson si shqetësuese mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në pjesën veriore të vendit, ku qytetarët e asaj pjese nuk kanë mundur të votojnë lirshëm. DnV po ashtu shprehë shqetësim se institucionet përgjegjëse për siguri në këtë pjesë, nuk kanë arritur të ofrojnë sigurinë e duhur për të garantuar një proces të lirë dhe të barabartë.   DnV kërkon nga KQZ dhe OSBE, që sa më shpejtë që është e mundur të bëjë transparent rrjedhën e ngjarjeve në Mitrovicën e Veriut, por edhe në tri komunat tjera të veriut (Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok) ku votimi është përfunduar para kohe dhe ka një paqartësi se çfarë ka ndodhur me kutitë e votimit dhe a kanë qenë nën mbikëqyrjen e administrueseve të zgjedhjeve.   DnV e vlerëson pjekurinë civile të qytetarëve të Kosovës të dëshmuan në ditën e zgjedhjeve duke dalë në nivel të kënaqshëm në votime për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese.   DnV po ashtu e vlerëson maturinë e subjekteve politike të cilët e treguan gjatë ditës së djeshme, si dhe qasjen profesionale të mekanizmave shtetërorë për parandalimin e abuzuesve të procesit zgjedhor.   Përkundër vlerësimit pozitiv të procesit në përgjithësi, DnV vlerëson se edhe në këto zgjedhje janë evidentuar disa parregullsi që pothuajse në vazhdimësi po i përcjellin proceset elektorale në vendin tonë.     Gjatë vëzhgimit nga monitoruesit janë evidentuar raste të prezencës së personave të paautorizuar të cilët kanë tentuar të ndikojnë në përcaktimin e qytetareve për të votuar.   Votimi familjar edhe më tutje mbetet shkelja më e shpeshtë në proceset zgjedhore në Kosovë. Votimi familjarë apo prezenca e dy e më shumë persona në kabinën e votimit kanë qenë raste të shprehura në shumë vendvotime. Janë evidentuar mbi 200 raste të votimeve familjare.   DnV ka identifikuar një numër të rasteve të fenomenit të “votës së korruptuar” ku dyshohet se votuesit kanë bërë fotografimin e votës.   Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar disa raste të tentimit nga qytetarë të papërgjegjshëm për të votuar dy herë, por vlen të theksohet që ka qenë reagimi i komisioneve të cilat nuk kanë lejuar të votohet më shumë se një herë.   Janë identifikuar shumë probleme me “Listat e votuesve” si rezultat i mos pastrimit të tyre. Prania e personave të vdekur në lista si dhe ndërrimi i vendvotimeve për votuesit kanë qenë raste të shprehura në disa komuna të Kosovës.   Gjatë këtij procesi gjithashtu janë evidentuar disa raste ku i njëjti person ka asistuar më shumë se një person.

DnV kërkon nga qytetarët, subjektet politike dhe mekanizmat shtetërorë, që të dëshmojnë pjekuri, maturi dhe profesionalizëm edhe në procesin e balotazhit dhe proceset tjera elektorale.

Related Posts

Demokracia në Veprim (DnV) është rrjet i organizatave jo-qeveritare në Kosovë që promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, edukimit të votuesve dhe avokimit për reformë zgjedhore.
 

Të fundit

Kontakti

Bajram Kelmendi n/45 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel/Fax: +383 (0)38 248 038

info@kdi-kosova.org