Prishtinë, 30 shtator 2014 – Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) në bashkëpunim me HandiKOS-in ka organizuar një tryezë të rrumbullakët, me ç’rast ka publikuar raportin “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuar (PAK) në procesin zgjedhor”. Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit të parë të këtij lloji në Kosovë: Monitorimi i Qasjes së Personave me Aftësi të Kufizuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014. Të pranishëm në këtë tryezë ishin: Christopher Edwards, u.d – Drejtor i USAID-it në Kosovë, Alan Wall, Drejtor i IFES-it, Zyrtari Ligjor i HandiKOS-it, Osman Shatri si dhe përfaqësues të subjekteve politike, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.
Valbona Murati – përfaqësuese e HandiKOS-it, duke prezantuar të gjeturat e Raportit, të dala nga vëzhgimi i fushatës elektorale, përmendi disa nga problemet që janë përballur personat me aftësi të kufizuar gjatë këtij procesi. Mungesa e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuar në administrimin e procesit zgjedhor, mungesa e informimit nga KQZ dhe informim jo i qasshëm për PAK nga PZAP për mekanizmin e ankesave lidhur me procesin zgjedhore, si dhe mungesa e të dhënave të sakta për numrin e personave me aftësi të kufizuar, ishin disa nga të gjeturat që i prezantoi zj Murati. Gjithashtu ajo përmendi edhe disa vështirësi tjera me të cilat u ballafaquan PAK gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore. Kushtet jo të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar në objektet ku mbaheshin tubimet, informata jo të qasshme nga partitë politike në lidhje me programin qeverisëse, ishin disa nga vështirësitë që i përmendi më tej zj. Murati.
Në anën tjetër Rrustem Gashi – përfaqësues i HandiKOS-it ka prezantuar të gjeturat nga vëzhgimi i ditës së zgjedhjeve me ç’rast përmendi disa nga problemet që janë përballur personat me aftësi të kufizuar gjatë kësaj dite. Mungesën e qasjes duke përfshirë vend parkimin e veçanta, niveleve baze apo rampave, liftit, tualeteve të veçanta, kabina jo te përshtatshme për përdoruesit e karrocave etj.
Drejtori i USAID-it në Kosove Chris Edwards, ka shprehur se ndihet i nderuar që është pjesë e këtij projekti pasi që USAID gjithmonë ka mbështetur projekte që përkrahin përfshirjen e personave me aftësi te kufizuara në procese të ndryshme. Ai ka cilësuar se raporti ka nxjerre në pah sfidat të shumta me të cilat ballafaqohen personat me aftësi te kufizuara. Ai tha se dhe pse raporti tregon se ka shume sfida me të cilat duhet të ballafaqohemi, ne duhet të jemi një shoqëri e cila i mirëpresim këto nevoja. Ai gjithashtu ka vlerësuar përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje si një proces shumë pozitiv duke marr parasysh që është hera e parë që ata përfshihen në vëzhgim afatgjatë, dhe ka thënë se është programi i parë në botë që përfshin personat me aftësi të kufizuara gjate tërë procesit zgjedhor.
Drejtori i IFES, Allan Wall, ka thëne se personat me aftësi të kufizuara duhet të përfshihen në të gjitha proceset e jo vetëm në atë të zgjedhjeve. Po ashtu ka thëne se këta persona kane nevoje për qasje të barabartë, dhe se duhet të kenë rol të plotë në vendimmarrje në të gjitha nivelet e komunitetit. Wall ka pohuar se në shumë raste qendrat e vendvotimit nuk kanë qenë të qasshme për personat me aftësi të kufizuara që të monitorojnë zgjedhjet dhe ka thënë se kjo është problem po ashtu edhe për nxënësit me aftësi të kufizuara që vijojnë mësimin në këto shkolla. Ai ndër të tjera ka thënë së KQZ-ja duhet të mbajë aktivitete informuese për persona me aftësi të kufizuara me qëllim që të sigurohet se këta persona do të jenë të informuar mirë sa i përket zgjedhjeve.
Ndërsa, Osman Shatri, Zyrtar Ligjore në HendiKOS, tha se personat me aftësi të kufizuar kanë dëshmuar që mund të punojnë në nivel të barabartë me të tjerët sidomos ne rrethana sikurse ishte monitorimi i fushatës zgjedhore.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e KQZ-së dhe PZAP-së, vlerësuan se të gjeturat e Raportit të DnV-së dhe HandiKOS-it janë të sakta dhe objektive, dhe premtuan që në të ardhmen rekomandimet nga raporti të shqyrtohen në mënyrë që të përmirësohet i gjithë procesi.
Ky është raporti i tretë dhe i fundit i publikuar në kuadër të raporteve të DnV-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014.
Përfshirja e personave me aftësi të kufizuar (PAK) në procesin zgjedhor
23