Prishtinë 27 shkurt 2015 Demokracia në Veprim, në bashkëpunim me Handikos kanë organizuar sot një tryezë diskutimi me titull “Procese elektorale të qasshme për të gjithë”. Qëllimi i kësaj tryeze ka qenë që të trajtohen mundësitë dhe veprimet e mëtutjeshme institucionale të cilat do të ndikojnë në rritjen e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuar në proceset elektorale në përgjithësi. Aktualisht në Kosovë personat me aftësi të kufizuar kanë qasje të limituar në procese elektorale, duke filluar nga dita e votimit, ku u mungon qasja fizike, qasja në informata e deri tek pjesëmarrja aktive në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve.
Sarah Buchanan Drejtoreshë e Programit për Demokratizim dhe Qeverisje në USAID Kosovë, ka thënë se Kosova është vendi i parë ku personat me aftësi të kufizuar janë mobilizuar për të monitoruar proceset zgjedhore. Ajo po ashtu ka vlerësuar punën e grupit punues për qasje elektorale dhe rëndësinë e angazhimit që personat me aftësi të kufizuar që të sigurojnë qasje të plotë në proceset zgjedhore, duke u angazhuar edhe në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Florian Dushi, anëtarë i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve dhe bashkë-kryesues i grupit punues për qasje elektorale, ka folur për rëndësinë e rritjes së përpjekjeve të KQZ-së, për të siguruar përfshirje më të madhe të personave me aftësi të kufizuar në zgjedhje. Ai po ashtu ka thënë se KQZ-ja tani ka një bashkëpunim të mirë me shoqatat, por do të angazhohet dhe më tutje në mënyrë që të rritet sa më tepër qasja në objektet e votimeve, për çka janë adoptuar edhe materialet e nevojshme për kategori të caktuara të personave me aftësi të kufizuar. Mirëpo Dushi ka thënë se për këtë çështje duhet një mobilizim dhe veprim më i madh i të gjitha institucioneve pasi që vetëm KQZ-ja si e vetme nuk mund të bëjë shumë zgjidhje.
Afrim Maliqi Drejtor i Handikos ka deklaruar se në Kosovë është duke u rritur vetëdija e institucioneve dhe qytetarëve për rëndësinë e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuar në jetën publike. Ai ka kërkuar që të bëhet edhe më shumë angazhim nga institucionet për të hartuar bazën e plotë ligjore, pasi që sipas Maliqit, aktualisht ligjet nuk janë të plotësuara për këtë kategori të personave. Ai ka thënë se për të pasur pjesëmarrje të personave me aftësi të kufizuar në zgjedhje, nuk mjaftojnë shkollat dhe vendvotimet e qasshme, pasi që duhet të merren masa në transportin publik dhe një varg çështjesh të tjera të cilat pengojnë këta persona.
Edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim kanë vlerësuar rëndësinë që personat me aftësi të kufizuar të kenë qasje në zgjedhje, duke filluar nga qasja fizike e deri tek angazhimi i këtyre personave për të garuar në zgjedhje dhe për t’u përfaqësuar në institucionet qendrore dhe lokale. Rukije Gashi nga shoqata e të shurdhëve, ka thënë se sa i përket personave të shurdhër, në Kosovë është bërë shumë në vitet e fundit, pasi që institucionit kanë marr një varg të masave që këta persona të realizojnë të drejtat e tyre elektorale dhe të jenë të informuar në televizionin publik. Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mbajë seanca informuese ku do të ftoheshin edhe personat me aftësi të kufizuar, për të diskutuar lidhur me problemet që ata kanë. Ai po ashtu ka thënë se personat me aftësi të kufizuar të cilët janë të paraburgosur apo në institucione korrektuese, duhet po ashtu të kihen parasysh, pasi që një numri të madh i mohohet e drejta për të votuar, e drejtë kjo e cila është e garantuar me Kushtetutë. Ai po ashtu ka kërkuar që KQZ-ja të bëjë hartën e vendvotimeve të qasshme në Kosovë.
Personat me aftësi të kufizuar me qasje të limituar në proceset zgjedhore
15