Komunikata e tretë për media |Ora 14:30| DnV: Votimi me asistencë shumë i shprehur

by admin

Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” me qëllim të informimit të rregullt të publikut mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.

I.Dalja në votim

Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 13:00, rreth 372 mijë qytetarë kanë votuar duke e ngritur përqindjen e daljes së votuesve në 19%. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,937,869 qytetarë. Ju rikujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2017, dalja deri në orën 12:00 ishte rreth 13%.

II.Parregullsitë më evidente gjatë procesit të votimit

Në bazë të raportimeve të vëzhguesve në terren, në përgjithësi procesi zgjedhor është duke u zhvilluar i qetë por nuk kanë munguar edhe parregullsitë në procesin e votimit. Këto parregullsi kanë qenë evidente edhe gjatë roundeve të kaluara zgjedhore të vitit 2017.

Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit të duhur

Vështirësitë në gjetjen e vendvotimeve nga votuesit, janë shprehur që në orët e para të mëngjesit.  Në intervalin kohor 09:30-13:00 numri i rasteve kur qytetarët kanë pasur problem në gjetjen e vendvotimeve është 7300 në 1280 vendvotime.

Identifikimi i votuesve

Janë rreth 317 raste kur votuesit janë identifikuar dhe janë lejuar të votojnë me dokumente të vlefshme, por me afat të skaduar.

Ofrimi i asistencës

Asistenca gjatë votimit, ka vazhduar të shprehet si dukuri edhe gjatë periudhës kohore 09:30-13:00. Përveç rasteve kur rregulla zgjedhore përcakton formën e lejuar të ofrimit të kësaj asistence, është evidentuar edhe për raste të shkeljes së kësaj rregulle. 

Midis intervalit kohor 09:30 deri 13:00 janë raportuar:
a) Votimi me asistencë, i shprehur në pjesën dërrmuese të vendvotimeve.
b) 110 raste kur një person ka ofruar asistencë më shumë se një herë, e regjistruar në 74 vendvotime.
c) 57 raste kur anëtarët e KVV-ve kanë asistuar votuesit për të votuar, në 38 vendvotime.

Cenimi i fshehtësisë së votës

Integriteti i procesit zgjedhor garantohet me anë të respektimit të rregullativës zgjedhore që përfshinë edhe ruajtjen e fshehtësisë së votës. Fotografimi i votës, qëndrimi i dy apo më shumë personave prapa kabinës së votimit si dhe bërja publike e votës nga vetë votuesi, janë shkelje të dënueshme me Kodin Penal të Kosovës.

Gjatë intervalit kohor 09:30 deri 13:00:

d) Fotografimi i votës është evidentuar në 83 raste, në 53 vendvotime.
e) Bërja publike e fletëvotimit është raportuar në 31 raste, në 28 vendvotime.
f) Qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinës së votimit është evidentuar në 96 raste, në 56 vendvotime dhe këtu nuk bëhet fjalë për votim me asistencë.
***
DnV u bën thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe përmes pjesëmarrjes së tyre të bëhen pjesë e vendimeve për vendin.
DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike të përmbahen nga çdo veprim që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor.
DnV pret që institucionet e vendit të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira.

Related Posts

Demokracia në Veprim (DnV) është rrjet i organizatave jo-qeveritare në Kosovë që promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, edukimit të votuesve dhe avokimit për reformë zgjedhore.
 

Të fundit

Kontakti

Bajram Kelmendi n/45 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel/Fax: +383 (0)38 248 038

info@kdi-kosova.org