Home » DnV: Fton qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje

DnV: Fton qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje

by admin

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur sot konferencën e radhës, në të cilën u vlerësua ecuria e dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore. DnV me këtë rast ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës.

Veton Mujaj nga DnV njoftoi se dhjetë ditët e fushatës zgjedhore kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të qetë, ndonëse me një numër të konsiderueshëm të aktivitete zgjedhore, shumë shpesh të pa paralajmëruara para institucioneve përkatëse. Në shumicën e aktiviteteve të subjekteve politike, mosrespektimi i masave kundër Covid19 ishte evident. Këto aktivitete u shoqëruan me grumbullime të mëdha qytetarësh në tubime publike, duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur.

Fryma konkurruese e fushatës u ka mundësuar qytetarëve të informohen për platformat politike, edhe përmes pjesëmarrjes në aktivitete por edhe përmes plasimit të informatave në media e rrjete sociale. Ndonëse, shumë organizime ndërruan formatet e tyre, orientimi i subjekteve politike kryesisht në premtime elektorale është parë si vazhdimësi e trendeve të fushatave të mëparshme dhe riciklim i mesazheve. Po ashtu, elemente të gjuhës së urrejtjes në baza politike nuk kanë munguar në aktivitetet zgjedhore të monitoruara. Programet politike, u publikuan me shumë vonesë  ndërsa pjesëmarrja e gruas në aktivitete zgjedhore ishte më e ulët se 30%. Prezencë e ulët e grave është shënuar edhe në media duke mos iu ofruar mjaftueshëm hapësirë gjatë kronikave zgjedhore dhe spote reklamuese. Pra edhe gjatë kësaj fushate subjektet politike nuk u kanë ofruar grave qasje të barabartë në garën zgjedhore, në kundërshtim me ligjin për barazi gjinore, i cili përcakton përfaqësim të barabartë.  

Lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore në komunat serbe foli Dusan Radakovic nga DnV, i cili tha se fushata u zhvillua në mënyrë paqësore, pa ndonjë incident. Sipas tij, Komisionet Komunale të Zgjedhjeve zbatuan aktivitetet e tyre në përputhje me ligjin, procedurat e përshkruara dhe në përputhje me masat epidemiologjike. Subjektet politike në këto komuna nuk kanë mbajtur pothuajse asnjë mbledhje madhore me mbi 50 persona. Tubimet ishin në përputhje me masat e përshkruara epidemiologjike dhe u raportuan në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve 24 orë më parë.

Radakovic shtoi se, aktivitetet e fushatës zgjedhore kanë qenë në minimum dhe fushata u zhvillua kryesisht në rrjetet sociale me intensitet të ulët. Kjo nuk ishte vetëm pasojë e pandemisë, por edhe pasojë e një lloj ngopjeje të qytetarëve me proceset zgjedhore dhe aktivitetet e subjekteve politike.

Kur bëhet fjalë për parregullsi dhe abuzime gjatë fushatës zgjedhore, gjatë aktiviteteve të monitoruara të fushatës, ka pasur përdorim të automjeteve zyrtare në një masë më të vogël. Kjo fushatë zgjedhore u karakterizua nga një numër dukshëm më i vogël i posterëve të subjekteve politike, prandaj nuk kishte shkelje të ligjeve dhe rregullave që rregullojnë këtë aktivitet. Aktiviteti më i zakonshëm gjatë kësaj fushate zgjedhore në jug ishin vizitat tek qytetarët, derë më derë dhe pas kësaj vizita në institucione të caktuara, kryesisht institucione arsimore. Sidoqoftë, numri i 50 personave jashtë dhe 30 brenda nuk u shkel.

Nuk kishte ndonjë pengesë për mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që të vëzhgonin dhe të ndiqnin aktivitetet e fushatës, me përjashtim të disa mediave lokale të cilat hasën në vështirësi në monitorim.

DnV në ditën e Zgjedhjeve:

Veton Mujaj u bëri thirrje qytetarëve që pas një fushate zgjedhore konkurruese, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik, pa presion dhe pa frikë. E drejta për të zgjedhur, si një nga të drejtat fundamentale të njeriut, është thelbi i demokracisë gjithëpërfshirëse përmes së cilës qytetarët e përcaktojnë të ardhmen e tyre.

Ai shtoi se Koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim (DnV)” me 498 vëzhguesit janë gati për vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ndërsa për t’i asistuar vëzhguesit në terren kemi angazhuar rreth 100 ekipe mobile. DnV ka vendosur që këto zgjedhje t’i vëzhgojë me mision që bazohet në metodologjinë e njohur si Numërimi Paralel i Votave (PVT). Kjo metodologji e avancuar dhe inovative e vëzhgimit të zgjedhjeve do të realizohet me ndihmën teknike të ofruar nga departamenti për çështje ndërkombëtare të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI). Të dhënat nga terreni do të përpunohen nga Qendra e Thirrjeve, e vendosur në Prishtinë dhe do të raportohen për publikun e gjerë në mënyrë periodike, me zhvillimet ditore rreth procesit të votimit dhe të numërimit.

Ne si DnV vlerësojë se 14 shkurti është mundësia reale për të gjithë qytetarët, që të bëhen pjesë e vendimmarrjes, të zgjidhin ato dhe ata për të cilët vlerësojnë se i përfaqësojnë në mënyrën më të mirë. Si dhe të zgjedhin ata përfaqësues që do të ndikojnë në kualitetin e jetës së tyre. Prandaj është e rëndësisë së veçantë që nesër bindja juaj programore e ideologjike dhe vizioni juaj të bëhet realitet. Secila votë ka vlerën e saj, prandaj duhet të kujdeseni që të votoni saktë, në mënyrë që vota juaj të numërohet.

Ne ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit me të drejtë vote, që nesër mos të rrinë në shtëpi, të vendosin maskat dhe të dalin të votojnë.

Po ashtu, inkurajojmë të gjithë qytetarët, partitë politike dhe të gjithë akterët që edhe nesër më 14 shkurt, të shfaqin kulturë zgjedhore ashtu siç demonstruan gjatë fushatës zgjedhore. Retorikat provokuese dhe çdo rrethanë që nxit dhunë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme. DnV u bën thirrje subjekteve politike dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e zgjedhjeve të tregojnë maturi dhe të jenë në nivel të lartë të përgjegjësisë për të garantuar një proces demokratik dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Institucioneve të sigurisë u bëjmë thirrje të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë zgjedhore.

Related Posts

Leave a Comment