Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga “Demokracia në Veprim” me qëllim të informimit të rregullt të publikut mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.
Dalja në votim
Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 16:00, dalja e qytetarëve në zgjedhje në nivel vendi është raportuar të jetë 37.3% (margjina e gabimit 0.72%).
Rajoni i Prishtinës dhe i Ferizajt prijnë me përqindjen më të lartë të daljes së votuesve, përkatësisht me rreth 40% ashtu edhe sikur komunat me shumicë serbe (me rreth 50%). Ndërsa, në rajonin e Prizrenit është shënuar dalja më e ulët krahasuar me rajonet e tjera.
Respektimi i masave kundër COVID-19 gjatë votimit
Deri në ora 16:00, në 70% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19 gjatë votimit, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.
Në 41% të vendvotimeve, kërkesa për të hequr maskën për nevoja identifikimi është bërë vetëm pjesërisht, ndërsa në 26% të vendvotimeve votuesve nuk u është kërkuar fare heqja e maskës.
Parregullësitë më të shprehura
Votimi me dokumente jovalide
Sa i përket identifikimit të votuesve me dokumente valide, DnV vlerëson që vendimi i KQZ-së për lejimin e votimit me dokumente me afat të skaduar është i pazakontë, ad-hoc dhe i bazuar në një interpretim shumë të gjerë të ligjit. Ky vendim ka ndikuar në rritjen e konfuzionit tek qytetarët dhe komisionerët dhe në esencë ka diskrimuar qytetarët të cilët para orës 15:00 nuk janë lejuar të votojnë me po këto dokumente. Kjo ka ndikuar që kjo dukuri të shënohet në 22% të vendvotimeve në nivel vendi në raste të izoluara deri në 10 raste.
Megjithatë, deri në orën 16:00, në 77% të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide.
Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Deri në orën 16:00, në 35% të vendvotimeve nuk është raportuar për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Sidoqoftë në 49% të vendvotimeve këto vështirësi kanë qenë evidente deri në 10 raste.
Votimi me asistencë
Deri në orën 16:00, vetëm në 3% të vendvotimeve nuk ka pasur votim me asistencë të regjistuar. Ndërsa, në 66% të vendvotimeve është raportuar për votim me asistencë e cila është regjistruar në Librin e Votimit, dhe atë me mbi 11 raste. Ndërsa, raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat është evidentuar në 15% të vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 10 raste).
Raste kur një person ka asistuar më shumë se një herë, janë hasur në 6% të vendvotimeve (deri në 4 raste).
Fotografimi i votës
Deri në orën 16:00, po vërehet një rritje e lehtë e fenomenit të fotografimit votës përkatësisht në 5% të vendvotimeve (në 1-4 raste).
Incidente serioze
Është raportuar edhe për një incident në komunën e Skenderajt, ku në vendvotimin 2101B/04R kanë qëndruar dy vëzhgues të LVV ndërsa kryesuesi ka kundërshtuar qëndrimin e më shumë se një personi në klasë dhe e ka kapur për krahu duke e nxjerrë jashtë njërin nga vëzhguesit. Për këtë rast ka reaguar dhe Policia.
DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar tani kur kanë mbetur edhe 3 orë deri në mbyllje të vendvotimeve.
DnV kërkon nga Komisionerët që pavarësisht rradhëve të gjata që janë krijuar në qendrat e votimit, t’ua mundësojnë të gjithë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së votës.
***
Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 Shkurtit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Kjo metodë e bazuar në parime statistikore mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi. Për ditën e zgjedhjeve, DnV ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve