Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit janë organizuar dhe zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta;
Të gjeturat kryesor:
Dita e zgjedhjeve, respektivisht procesi i votimit dhe numërimit në përgjithësi është zhvilluar i qetë, i rregullt, dhe pa ndonjë parregullsi serioze që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor. Sidoqoftë, dita e zgjedhjeve është shoqëruar me disa parregullsi të izoluara, të cilat janë evidentuar edhe gjatë cikleve të mëparshme zgjedhore. Publikimi i rezultateve preliminare dhe daljes në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore nga KQZ-ja, ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së publikut në zgjedhje;
Qytetarët e Kosovës dëshmuan një kulturë të lartë demokratike duke dalë në masë të konsiderueshme për të votuar, përkundër motit të keq dhe situatës me pandeminë;
Subjektet politike garuese, përmes pranimit dhe respektimit të vullnetit qytetar menjëherë pas publikimit të rezultateve, kanë kontribuar në avancimin e vlerave demokratike të zgjedhjeve dhe besueshmërisë së qytetarëve në to;
Ajo çfarë bie në sy si fenomen në këto zgjedhje është, bazuar në rezultatet preliminare, humbja e disa subjekteve politike tradicionale nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, sidomos nga radhët e komunitetit boshnjak dhe ai rom. Tek subjektet e reja fituese, vërehet një elektorat i koncentruar dhe numër i pazakontë i votave të fituara në zonat e banuara me shumicë serbe, sidomos në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë ku përgjithësisht nuk ka përqendrim të madh demografik të komuniteteve respektive;
Puna e trupave menaxhuese të zgjedhjeve, përkatësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë kryesisht transparente, ndërsa Sekretariati i KQZ-së ka qenë bashkëpunues sidomos me organizatat e shoqërisë civile. Trupat menaxhuese të zgjedhjeve kanë njoftuar në pothuajse të gjitha rastet e mbajtjes së mbledhjeve. Sidoqoftë, materialet nuk janë publikuar në kohë në faqen elektronike të KQZ-së;
Sidoqoftë, pothuajse përgjatë tërë kohës, janë shënuar përplasje mes anëtarëve të KQZ-së, përkatësisht mes anëtarëve të një subjekti politik dhe Kryetares së KQZ-së. Kjo ka ndikuar që një numër i madh i mbledhjeve të ndërpriten apo të shtyhen. Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së janë cenuar nga ndërhyrjet nga palët e jashtme, posaçërisht nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit përmes deklarimeve të saj publike. Kryetarja e KQZ-së ka qenë target i sulmeve të shumta nga subjektet politike por edhe palë tjera;
KQZ-ja, përkundër afateve të shkurtuara, ka arritur t’i përmbyllë pothuajse të gjitha aktivitetet dhe operacionet zgjedhore pa vonesa. Përjashtim bën vetëm operacioni i votimit jashtë vendit, i cili nuk ka arritur të mbyllet në tërësi brenda afatit. Kjo për shkak se vendimi i KQZ-së për verifikimin e aplikacioneve të votuesve jashtë vendit, nuk kishte arritur të përmbyllet brenda afatit të paraparë. Ndonëse KQZ-ja kishte adresuar çështjen e vlefshmërisë së dokumenteve të nevojshme për identifikim të votuesve, me anë të një vendimi të pazakontë në ditën e zgjedhjeve, ndryshuar të njëjtin, duke lejuar votimin e personave me dokumente me afat të skaduar;
Përfaqësimi i grave në trupat për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve mbetet në nivele relativisht të ulëta. Zotimi i subjekteve politike i vitit 2015, për garantim të përfaqësimit të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve në shkallën 40%, nuk është përmbushur;
Certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre është shoqëruar me probleme dhe përplasje të shumta, si rezultat i interpretimit të ndryshëm të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përshtatshmërinë juridike të kandidatëve. Lidhur me këtë proces ka pasur ankesa, të cilat kanë ndikuar veçse në rritjen e tensionit politik. Për të garuar në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike me fillimisht 1,081 kandidatë. Sidoqoftë, si rezultat i vendimeve të institucioneve dhe ndryshimeve tek disa subjekte politike, respektivisht PZAP dhe Gjykatës Supreme lidhur me papërshtatshmërinë e kandidatëve, numri përfundimtar i kandidatëve kishte rënë në 1,052;
Pothuajse të gjitha subjektet politike kanë respektuar vetëm kriterin minimal të përfshirjes së grave në lista. Vetëm 359, apo 34%, nga gjithsej 1,052 kandidatët e certifikuar ishin gra. KQZ-ja, edhe në këto zgjedhje ka vijuar me praktikën e renditjes së subjekteve politike në fletëvotim nga numri 111 e tutje, duke evituar kështu garën e pabarabartë dhe diskriminimin e kandidatëve brenda listave të subjekteve politike;
Operacioni i votimit jashtë vendit ka vazhduar të mbetet një prej operacioneve dhe hallkave më të ndjeshme të procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje është shënuar rritje e jashtëzakonshme e numrit të votuesve të interesuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, me mbi 100 mijë aplikacione të konfirmuara, nga mbi 130 mijë aplikacione të pranuara gjithsej. Deri 24 orë para ditës së zgjedhjeve, KQZ ka pranuar 43,477 pako me fletëvotime të supozuara nga jashtë vendit;
Në fillim të procesit zgjedhor, KQZ-ja kishte marrë vendim për verifikimin e aplikacioneve të votuesve jashtë vendit përmes telefonimit të tyre, vendim ky që kishte ngjallë reagime të shumta të disa subjekteve politike dhe një pjese të qytetarëve. Përkundër sfidimit të vendimit dhe udhëzimit përkatës administrativ në PZAP dhe Gjykatën Supreme, këto të fundit nuk e kishin anuluar atë. Verifikimi i një numri të jashtëzakonshëm të aplikimeve, kishte bërë që Sekretariati të rrisë kapacitetet në mënyrë të ndjeshme, si dhe ishte shpenzuar një shumë e konsiderueshme e buxhetit. Përmes verifikimit, KQZ kishte arritur që të evidentojë 290 persona, të cilët kishin deklaruar se nuk kanë aplikuar për votim jashtë vendit fare;
Fushata zgjedhore zyrtare u parapri nga një parafushatë intensive, e cila u zhvillua në terren, por edhe në media, që nga publikimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë. Fushata zgjedhore ishte më dinamike dhe elektrizuese sesa zgjedhjeve të kaluara, marrë parasysh situatën me pandeminë, me një numër të konsiderueshëm të aktivitete zgjedhore, shpesh të pa paralajmëruara tek institucionet përkatëse. Diskursi publik i krijuar gjatë fushatës ka reflektuar polarizimin e skajshëm politik. Përplasjet politike kishin bërë që të shënohen disa incidente gjatë tubimeve të subjekteve politike, përkatësisht mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës;
Në shumicën e aktiviteteve të subjekteve politike, mosrespektimi i masave kundër COVID-19 ishte evident, ndërsa institucionet përkatëse qëndruan të heshtura ndaj shkeljeve duke mos shqiptuar sanksione ndaj partive, me përjashtim të Komunës së Prishtinës dhe asaj të Prizrenit. Aktivitetet e organizuara nga subjektet politike ishin kryesisht grumbullime të qytetarëve në tubime publike dhe vizita derë më derë. Sidoqoftë, lloj i ri karakteristik i të bërit fushatë në këto zgjedhje ishte organizimi i ecjeve nëpër sheshe apo hapësira publike nëpër qytete;
Fushata zgjedhore në pjesën veriore të vendit ishte pothuajse e pavërejtshme, e limituar kryesisht në vendosje të posterëve promovues të Listës Serbe dhe vizitave derë më derë. Kryesisht fushata e subjekteve politike serbe, që dominohej nga Lista Serbe, nuk u koncentrua në veri të vendit, por në pjesën tjetër të vendit ku komuniteti serb është shumicë. Incidenti kryesor që ndodhi në pjesën veriore ishte gjatë vizitës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, bashkë me kandidatin për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, ku këta të fundit u penguan në zhvillimin e aktiviteteve të fushatës atë pjesë të vendit;
Fryma përgjithësisht konkurruese e fushatës ka bërë që qytetarët të mund të marrin pjesë në aktivitetet e fushatës, por në të cilat kryesisht janë servuar qëndrimet e subjekteve politike në raport me oponentët e tyre, por jo edhe orientimet e qarta programore. Gjuha e urrejtjes, sidomos mbi baza politike, ka vijuar të shoqërojë gati çerekun e aktiviteteve të subjekteve politike;
Subjektet politike u vonuan me publikimin e platformave politike, të paktën në ‘online’ apo nëpër faqet e tyre zyrtare. Temat të cilat u trajtuan më së shumti nga subjektet garuese në fushatë përfshijnë zhvillimin ekonomik, drejtësinë, bujqësinë dhe punësimin, arsimin dhe shëndetësinë, si dhe mirëqenien sociale. Vlen të potencohet që një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve të subjekteve politike mbi këto çështje kanë qenë të zhvendosura në media e rrjete sociale;
Përgjithësisht, edhe gjatë kësaj fushate subjektet politike nuk u kanë ofruar grave qasje të barabartë në garën zgjedhore, në kundërshtim me ligjin për barazi gjinore, i cili proklamon përfaqësimin e barabartë;
Përdorimi i resurseve publike, materiale apo njerëzore, sidomos nga subjektet politike në pushtet, ka vijuar që si fenomen të shoqërojë aktivitetet e fushatës së subjekteve politike. Mediat kanë qenë të pranishme në pothuajse gjysmën e aktiviteteve zgjedhore;
Subjektet politike nuk treguan vullnet për transparencë sa i përket financave dhe shpenzimeve të tyre në fushatë edhe në këto zgjedhje. DnV-ja, gjashtë ditë para fillimit të fushatës kishte kërkuar nga subjektet politike që të tregojnë për shumat që ata planifikojnë t’i shpenzojnë në fushatë, mënyrën e financimit, udhëheqësit e fushatës dhe të tjera. Prej 25 subjekteve politike të cilave ju dërgua kjo kërkesë, vetëm tre prej tyre u përgjigjën pozitivisht;
Nga monitorimi që iu është bërë nëntë kanaleve televizive (shtatë shqiptare dhe dy serbe), del se këto mediume në kronikat e tyre zgjedhore kanë ofruar hapësirë të përafërt për subjektet e mëdha politike, ndërkaq më pak hapësirë për subjektet e vogla. Disa nga kanalet televizive kanë shfaqur edhe spote reklamuese të kandidatëve të subjekteve politike në kohën kur kishte debate zgjedhore;
Mediat tradicionale kanë shprehur interesin dukshëm më të madh për mbulimin e aktiviteteve të subjekteve politike, duke ndryshuar ndjeshëm skemat e tyre programore për të akomoduar më shumë hapësirë për këto programore;
Gjetjet tregojnë që më së shumti mbulueshmëri tek televizionet në kronika zgjedhore ka pasur Lidhja Demokratike e Kosovës me 238 minuta, ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 228 minuta, Lëvizja Vetëvendosje me 223 minuta, NISMA me 211 minuta, Partia Demokratike e Kosovës me 209 minuta, Lista Serbe me 57 minuta dhe partitë tjera me 94 minuta;
Sa i përket aspektit gjinor, të dhënat tregojnë që kandidatët burra dhe kandidatet gra nuk janë paraqitur barabartë gjatë fushatës. Në matjen e bërë për kronikat zgjedhore, minutat që kanë pasur gratë kandidate në kronika janë vetëm 46 apo 8%, në krahasim me 538 minuta të burrave kandidatë apo 92%. Edhe tek spotet televizive, është evidentuar një diskrepancë e madhe në përfaqësim të barabartë të kandidatëve burra dhe atyre gra. Ka pasur raste kur mediat ua kanë përmendur emrin grave kandidate, por rrallëherë kanë shfaqur incizime kur ato kanë folur;
Pjesëmarrja e grave në spotet të organizuara nga subjektet politike ka qenë tejet e ulët me vetëm 16%. Ndërsa të dhënat tregojnë që pjesëmarrja e grave në debate televizive edhe në këtë fushatë zgjedhore ka qenë e nënpërfaqësuar me vetëm 22%. Gratë kanë qenë më pak të pranishme në media edhe në kronika zgjedhore e në spote publicitare të subjekteve politike. Faqet zyrtare të partive politike në rrjetet sociale u kanë dhënë shumë më pak hapësirë grave;
Sa i përket fletëvotimeve të pavlefshme, në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, vërehet një përmirësim i lehtë. Deri më tani, është raportuar për rreth 25 mijë fletëvotime të pavlefshme, apo rreth 3%;
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme në trajtimin e ankesave dhe apeleve, duke respektuar afatet kohore. Përgjithësisht, njësoj ka vepruar edhe Gjykata Supreme, me rastet të cilat i janë drejtuar asaj.