Home » DnV: Kohë ideale për inicimin e reformës zgjedhore

DnV: Kohë ideale për inicimin e reformës zgjedhore

by admin

Kosova tanimë ka kaluar më shumë se një dekadë që nga inicimi i reformës zgjedhore, proces ky i cili nuk është përmbyllur në mungesë të një përkushtimi dhe vullneti politik. Madje, edhe iniciativa e vitit 2019 për përmirësimin dhe fuqizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet formimit të një komisioni ad-hoc në Kuvendin e Kosovës, që kishte mbetur në gjysmë për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk është iniciuar më.

Vitin që lamë pas Kosova përmbylli me sukses dy procese zgjedhore, të nivelit qendror dhe atij lokal, zgjedhje të cilat sërish u shoqëruan nga disa probleme të përsëritura ndër vite. Këto probleme burojnë kryesisht nga sistemi zgjedhor dhe elementet teknike të tij, të cilat janë hartuar në një kontekst të ndryshëm politik. Meqenëse vendi nuk do të ketë cikël të rregullt zgjedhor për edhe rreth tri vite, konsiderojmë se tash është koha ideale për inicimin e diskutimeve për fillimin e një procesi përmbajtësor të reformës zgjedhore, duke rishikuar në tërësi legjislacionin zgjedhor. Draftimi i një kodi zgjedhor, i cili do të përfshinte të gjitha aspektet e çështjeve zgjedhore duhet të merret seriozisht në konsideratë, si mënyrë e shpërfaqjes së vendosmërisë për t’a shtyrë përpara reformën zgjedhore.

DnV vlerëson që ky proces, i cili është i një rëndësie shumë të madhe për vendin, duhet të jetë i bazuar në parime dhe vlera të cilat garantojnë zbatueshmëri të tij në praktikë dhe reflektojnë pajtueshmëri të gjerë të publikut. Vlerat dhe parimet themelore mbi të cilat duhet të iniciohet dhe të zhvillohet reforma zgjedhore janë:

  1. Përcaktimi i objektivave dhe subjekteve të reformës zgjedhore – Objektivat e reformimit të sistemit zgjedhor duhet të përcaktohen qartazi para inicimit të procedurave zyrtare. Kjo nënkupton që duhet të definohen qëllimi përfundimtar që synohet të arrihet me reformën zgjedhore si dhe çështjet që do të trajtohen, duke mos anashkaluar edhe elementet e sistemit politik, përfshirë partitë politike dhe financimin e tyre, si dhe funksionimin e mediave gjatë zgjedhjeve. Të gjitha ndryshimet eventuale duhet të jenë përputhje me pesë parimet evropiane të zgjedhjeve, që përfshijnë votimin universal, të barabartë, të lirë, të fshehtë dhe të drejtpërdrejtë. Gjithashtu, akterët e përfshirë në proces nuk duhet t’a parcializojnë reformën zgjedhore në atë mënyrë që të adresohen apo ndryshohen vetëm segmente të caktuara të sistemit të cilat i konvenojnë njërës apo palës tjetër.
    Sa i përket subjekteve të reformës zgjedhore, meqë Kosova është republikë parlamentare, iniciativa duhet të burojë nga Kuvendi i Kosovës, eventualisht nga partia në pushtet e cila ka shumicën në Kuvend. Kuvendi do të duhej të themelonte një komision të posaçëm, përbërja e së cilit reflekton kompozicionin politik të Kuvendit, por i cili do të duhej të kryesohej nga opozita, si vlerë e shtuar e procesit. Gjithashtu, përbërja e komisionit duhet të reflektojë edhe parimin e barazisë gjinore;
  • Konsensusi politik dhe shoqëror – Duke qenë se sistemi zgjedhor është në esencë përkthim i vullnetit politik të qytetarëve, do të duhej që reforma zgjedhore të reflektojë një konsensus sa më të gjerë shoqëror i cili përkthehet edhe në konsensus politik. Edhe pse proceset e reformës zgjedhore shpesh mund të jenë polarizuese, dakordimi paraprak mbi nevojën e reformës zgjedhore, objektivat dhe kornizën implementuese mund të jetë faktor ndihmues në arritjen e konsensusit. Po ashtu, në funksion të arritjes së një konsensusi sa më të gjerë, duhet që të ketë dakordim edhe për shumicën e nevojshme dhe mënyrën e votimit të ndryshimeve eventuale, e cila duhet të garantojë respektim të qëndrimit të të gjitha palëve por edhe mosbllokim të procesit, për aq sa është e mundur. Votimi me 2/3 e votave në Kuvend, sidomos duke ditur se disa prej reformave mund të kërkojnë ndryshime kushtetuese, do të duhej të ishte kriter minimal. Reforma zgjedhore dhe raportet mes partive politike për këtë çështje duhet të zhvillohen nën besim reciprok, sidomos sa i përket qëllimeve për të cilat do të zhvillohet procesi. Akterët do të duhej të dakordoheshin që drafti i fundit i dokumentit të reformës zgjedhore të dërgohet për opinion në Komisionin e Venedikut;
  • Gjithëpërfshirja – Në kuadër të iniciativës së reformës zgjedhore duhet të përfshihen të gjithë akterët e interesuar për të kontribuar në proces, duke përfshirë nivelin politik, administrativ dhe sektorin jo-qeveritar. Në këtë drejtim, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve tjera që kanë përgjegjësi të çfarëdollojshme në zgjedhje dhe palët e interesit duhet të ofrohet mundësi për përfshirje në kuadër të grupeve punuese. Qytetarëve dhe palëve tjera të interesuar duhet t’u mundësohet ofrimi i kontributit dhe komenteve në secilin prej dokumenteve të gjeneruara gjatë procesit;
  • Transparenca dhe llogaridhënia  – Inicimi i procesit, formimi i komisioneve apo grupeve punuese dhe puna e tyre duhet të jetë sa më transparente për publikun. Për këtë qëllim, komisioni përkatës për reformën zgjedhore duhet të zhvillojë takime me numër sa më të madh të qytetarëve dhe akterëve e grupeve tjera të interesit, në mënyrë që të merren në konsideratë edhe qëndrimet e tyre.
  • Proporcionaliteti kohor  – Procesi i reformës zgjedhore nuk duhet të marrë edhe një dekadë tjetër për t’u përmbyllur. Ndryshimet eventuale që mund të bëhen me nguti dhe në afate të ngushta kohore mund t’a cenojë konsensusin politik dhe transparencën ndaj qytetarëve, duke e dëmtuar procesin në tërësi. Meqenëse Kosova nuk do të ketë vit zgjedhor të rregullt edhe rreth tri vite (deri në vitin 2025), duhet që procesi i reformës të zhvillohet brenda një periudhe të arsyeshme kohore, në atë mënyrë që garanton respektimin e parimit që ndryshimet duhet të miratohen të paktën një vit para zgjedhjeve, me qëllim që institucionet përkatëse të kenë kohë të mjaftueshme për implementim të ndryshimeve dhe informim të qytetarëve.

“Demokracia në Veprim” mbetet e gatshme për të ofruar ekspertizën e saj në kuadër të këtij procesi, duke përfshirë edhe rekomandimet e ofruar përgjatë cikleve të ndryshme zgjedhore.

Related Posts

Leave a Comment