Home » DnV: Parafushatë intensive dhe tendenca të Qeverisë për të ndërhyrë në proces zgjedhor

DnV: Parafushatë intensive dhe tendenca të Qeverisë për të ndërhyrë në proces zgjedhor

by admin

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur Presidentja shpalli datën e zgjedhjeve parlamentare për 9 shkurt 2025. Sot, koalicioni “Demokracia në Veprim” mbajti një konferencë për media, ku ofroi një vlerësim të periudhës parafushatës, ndërhyrjeve të Qeverisë, shfrytëzimin e burimeve publike për qëllime elektorale, si dhe për përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim theksoi se në mungesë të rregullimit ligjor, partitë politike kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të parafushatës në mënyrë të intensifikuar, duke përdorur njëkohësisht platformat digjitale. Lëvizja Vetëvendosje, si parti në pushtet, ka zgjedhur të orientojë aktivitetet e saj jashtë vendit. Ndonëse edhe partitë opozitare kanë organizuar disa takime me qytetarë jashtë vendit, ato janë fokusuar më shumë në aktivitete brenda Kosovës, për hartimin e programit, publikimin e kandidatëve dhe takimeve tjera të targetuara. Për më tepër, ka pasur një rritje të sponsorizimeve të postimeve në platformat digjitale nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mijëra euro të shpenzuara deri më tani.

Një nga problematikat më të mëdha të parafushatës së deritanishme është përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale dhe ndërhyrjet e Qeverisë në procesin zgjedhor. Kjo përfshin veprime që dëmtojnë barazinë e garës zgjedhore dhe mund të ndikojnë në përcaktimin e votuesve, duke krijuar një garë të pabarabartë. Ndër to, masat financiare (rritja e pensioneve, pagës minimale dhe pagave në sektorin publik) të miratuara nga Qeveria, që pritet të hyjnë në fuqi pak kohë para zgjedhjeve, shpërfaqin një model të rrezikshëm të përpjekjes për të ndikuar votuesit nëpërmjet fondeve publike.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga DnV ndërlidhet me procesin e votimit jashtë vendit. Deri tani, janë aprovuar rreth 15,000 aplikime për votim jashtë vendit, ku dy të tretat e këtyre aplikimeve janë për votim me postë në misionet diplomatike të Kosovës. Megjithatë, DnV vëren se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka tentuar të ndërhyjë në këtë proces duke kërkuar hapjen e qendrave të votimit në vende të tjera, gjë që është e paligjshme, pasi KQZ-ja është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të organizuar dhe administruar zgjedhjet.

Në anën tjetër, DnV vëren se shumë prej listave të publikuara të kandidatëve të subjekteve politike, përfshijnë kandidatë më të rinj dhe përfshirja e grave është rritur në mënyrë të dukshme. Megjithatë, u potencua që partia në pushtet është e vetmja që qëndron e mbyllur për publikun sa i përket finalizimit apo publikimit të listës së kandidatëve.

Sa i përket administrimit të zgjedhjeve, u tha se KQZ-ja ka zhvilluar rreth 20 mbledhje, ku përgjithësisht ka mbizotëruar fryma konsensuale e vendimmarrjes. DnV vlerëson që KQZ-ja ka bërë progres të rëndësishëm duke digjitalizuar pjesën më të madhe të operacioneve zgjedhore, si dhe duke iniciuar fushatë proaktive për informim dhe edukim të votuesve.

“Demokracia në Veprim” do të jetë  e angazhuar në  vëzhgimin e të  gjitha fazave zgjedhore. Fushata zgjedhore 30 ditore do të monitorohet nga 38 vëzhgues afatgjatë në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa gjatë  Ditës së Zgjedhjeve, 550 vëzhgues të tjerë afatshkurtër do të angazhohen për të mbikëqyrur procesin sipas metodologjisë së Numërimit Paralel të Votave, e njohur si PVT.  DnV do të vëzhgojë edhe numërimin e votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit. Angazhimi i DnV-së do të përfshijë gjithashtu monitorimin e shpenzimeve të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale.

Related Posts

Leave a Comment