Prishtinë, 18 janar 2025 – Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka mbajtur konferencën e parë për media lidhur me mbarëvajtjen e javës së parë të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale.
Në javën e parë të saj, fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë kryesisht të qetë, por me diskurs nxitës të partive politike, me intensitet të shtuar të aktiviteteve nga dita në ditë dhe me takime të formateve të ndryshme.
Fushata në numra
Në javën e parë, DnV ka monitoruar 160 aktivitete të subjekteve politike, në të gjitha komunat e vendit, duke përfshirë edhe ato me shumicë serbe. Me numrin më të madh të aktiviteteve prin LDK-ja me 51 aktivitete , pasura nga PDK-ja me 45, LVV-ja me 28 dhe AAK-ja me 19 aktivitete. Aktivitete kanë mbajtur edhe subjektet tjera si Lista për Familjen, si dhe subjektet e komuniteteve tjera, si Lista Serbe, IRDK, SDU etj.
Liria e grumbullimit
Subjektet politike kanë mundur të organizojnë tubime pa kufizime. Megjithatë, vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar që 6 nga aktivitetet e subjekteve politike, nuk janë paralajmëruar në KKZ-të. Rreth 80% e aktiviteteve janë organizuar në objekte publike si palestra sportive, shtëpi kulture, shkolla etj, ndërsa të tjerat në hapësira private si restorante apo salla tjera.
Pjesëmarrja qytetarë në aktivitete
Pothuajse gjysma e tubimeve kanë qenë të mesme me deri në 200 pjesëmarrës. Tubimet e vogla me deri në 50 pjesëmarrës përbëjnë 22% të aktiviteteve. Ndërsa 15% e aktiviteteve ishin tubime të mëdha me mbi 500 pjesëmarrës. Tipar dallues i fushatës është trendi i shpalosjes së njëanshme të programeve nga subjektet politike, pa pasur komunikim dy-kahor me qytetarë.
Në anën tjetër, në 3 raste është vërejtur pjesëmarrje e organizuar të nxënësve, në komunën e Suharekës – në 2 aktivitete të organizuara nga PDK-ja, ndërsa një tjetër nga AAK-ja.
Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese
Kjo javë është karakterizuar me ashpërsim e përkeqësim të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Në plot 25 aktivitete të monitoruara, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes mes partive dhe kandidatëve të tyre – që sipas intensitetit dhe peshës, ka qenë e shprehur sidomos në aktivitetet e partisë në pushtet. Megjithatë, edhe në aktivitetet e partive tjera, përfshirë LDK-në (10 raste), PDK (6 raste) dhe AAK (2 raste), është raportuar për gjuhë të tillë fyese, nxitëse apo të urrejtjes.
Fushata në hapësirën online
DnV deri më tani ka monitoruar në total 679 kandidatë për deputetë, prej të cilëve 447 janë burra dhe 232 gra. Gjatë javës së parë, janë identifikuar deri në 50 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës.
Monitorimi i 152 portaleve ka identifikuar gati 600 mijë komente te bëra në rrjete sociale, ku 6% e tyre përmbajnë gjuhë të urrejtjes. Këto pasqyrojnë përdorimin e gjuhës se urrejtjes në komunikimet politike, duke ndikuar negativisht në diskursin publik dhe demokratik të vendit.
Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë përballur me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. 7% e komenteve në rrjete sociale janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të sulmuara janë:
- Vlora Çitaku – nga 200 artikuj ku ajo përmendet, 16% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
- Hykmete Bajrami – nga 226 ku ajo përmendet, 12% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
- Albulena Haxhiu – nga 527 Artikuj, ku përmendet ajo, 6% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja
Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në rreth 60% të aktiviteteve është raportuar për pjesëmarrje minimale të grave – vetëm deri në 10% të pjesëmarrësve. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, vetëm 1/3 e fjalimeve (70 nga 230) janë mbajtur nga gratë.
Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 258 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 14% prej tyre ka pasur gra. Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 12 minuta apo 9% e hapësirës televizive u është dhënë grave.
Sa i përket përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, vetëm në 5 raste të njëjtit kanë mbajtur fjalime në aktivitetet e fushatës.
Mesazhet politike
Arsimi, shëndetësia, ekonomia, infrastruktura dhe mirëqenia sociale, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës. Lëvizja Vetëvendosje, temë bosht të fushatës e ka pasur gjatë kësaj jave veriun e vendit (22 raste). Në anën tjetër, dy partitë tjera – LDK dhe PDK – e kanë pasur temë bosht arsimin, kurse AAK-ja është marrë me arsimin dhe ekonominë.
Kryesisht mesazhet politike janë shpalosur nga liderët dhe persona të caktuar të partive, pa iu dhënë mundësia të gjithë kandidatëve që vinë nga komunat përkatëse ku po mbahen aktivitetet.
Liria e shprehjes dhe informimit
Në javën e parë nuk kanë munguar prezantimet e partive dhe kandidatëve në media, me përjashtim të LVV-së, kandidatët e së cilës po vazhdojnë ‘bojkotin‘ ndaj emisioneve dhe debateve televizive. Kurse, kronikat zgjedhore janë dominuar përgjithësisht nga subjektet e mëdha, ku 277 nga 345 kronikat e monitoruara janë për këto subjekte – PDK-73, LDK-71, Koalicioni AAK/NISMA- 70 dhe LVV-63.
Sa i përket hapësirës brenda subjekteve, pjesa më e madhe i është kushtuar kandidatëve për kryeministër dhe liderëve të listave garuese, me gjithsej 213 minuta. Gjithashtu nga 345 kronika të transmetuara, në 313 prej tyre u është dhënë hapësirë kandidatëve për Kryeministër, ku prin Lumir Abdixhiku, pasuar nga Bedri Hamza, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj.
Parandalimi i keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale
Gjatë javës së parë të fushatës zgjedhore, keqpërdorimi i resurseve publike për qëllime elektorale është evidentuar në gjithsej 18 raste. Në të paktën 7 aktivitete është vërejtur prani e veturave zyrtare, në 2 raste të nivelit qendror kur janë mbajtur aktivitete nga partia në pushtet, kurse në 5 raste kur aktivitetet janë organizuar nga partitë tjera (LDK dhe AAK), kryesisht në komunat ku të njëjtat qeverisin. Po ashtu, në 11 aktivitete tjera janë parë zyrtarë publikë si nëpunësit civil, personeli arsimor apo shëndetësorë, gjatë orarit të rregullt të punës.
Transparenca dhe Financimi i fushatës
Ndonëse të organizuara kryesisht në objekte publike, aktivitetet e subjekteve politike kanë përfshirë materiale, produkte e shërbime që kanë kosto. Shpërndarja e kartëvizitave (114 raste), broshurave (49 raste), rekuizitave (43 raste), pijeve (35 raste) si dhe shërbime si zërimi (93 raste), video xhirimi profesional (87 raste), ndriçimi dhe laserët (37 raste) janë disa prej produkteve dhe shërbimeve për të cilat partitë kanë shpenzuar më së shumti.
Po ashtu, në të paktën 4 raste ka pasur sjellje të organizuar të pjesëmarrësve me mjete të transportit si autobusë dhe minibusë.
Shpenzimet për sponsorizim në Facebook: Në javën e parë të fushatës DNV ka analizuar shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale. Sipas këtyre të dhënave del se shumica e partive në garë, dhe 160 nga kandidatët në garë kanë sponsorizuar. Shuma e përgjithshme e shpenzuar për sponsorizim në rrjete sociale gjatë kësaj jave është rreth 25 mijë euro në mbi 1 mijë postime të sponsorizuara. Në mesin e tyre, me shpenzimeve prin Bedri Hamza, me mbi 3,100 euro shpenzime në profilin e tij, Lumir Abdixhiku me 3,000 euro, profili zyrtar i LDK-së me 2,900 euro, Memli Krasniqi me mbi 1,700 euro, Ramush Haradinaj me 1,500 euro, partia e komuniteteve Opre Roma Kosova me 1,415 euro dhe profili zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje me 1,412 euro. Në mesin e kandidatëve të tjerë, prijnë kandidati Krenar Xhaferi (LDK) me rreth 1,300 euro të shpenzuara, Egzon Kelmendi (AAK) me 850 euro, kandidatja Aurora Berisha (PDK) me rreth 700 euro, Isak Neziri (PDK) me rreth 700 euro, si dhe Ardian Olluri (LDK) me 660 euro të shpenzuara.
Neutraliteti institucional
Me intensifikimin e fushatës dhe operacioneve zgjedhore, është rritur edhe dinamika e punës së institucioneve që janë të përfshira në zgjedhje.
PZAP-ja ka shqyrtuar dhe vendosur deri më tani për 11 raste që ndërlidhen me shkeljet e kodit të mirësjelljes gjatë fushatës, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me stafin zgjedhor në nivel komunal. PZAP ka shqiptuar 6 vendime me gjobë në vlerë prej 51 mijë euro, kryesisht për shkak të gjuhës së përdorur në fushatë dhe përdorimit të resurseve publike në kundërshtim me ligjin, ndërsa ka hedhur poshtë 5 ankesa si të pabazuara. Nga këto 6 vendime dënuese, subjekti politik LDK u dënua me 34 mijë euro gjobë, AAK me 12 mijë euro, LVV me 3 mijë euro dhe PDK me 2 mijë euro gjobë.
Sa i përket sigurisë, policia është kujdesur për 2/3 e aktivitete të fushatës. Ndërsa, nuk është raportuar ndonjë rast i incidenteve apo pengimit të mediave apo OJQ-ve për pengim të procesit zgjedhor.