I. Dalja në votim
Dhjetë orë që nga hapja e vendvotimeve në të gjithë vendin, është raportuar se procesi i votimit po rrjedh i qetë dhe me një interesim të shtuar të qytetarëve për të votuar. Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), dalja në votime deri në orën 17:00 është rreth 38.9% (me margjinë gabimi+/-0,75). Rikujtojmë se të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,970,944 qytetarë ose 174,888 më shumë nga zgjedhjet e kaluara lokale.
Regjionet me dalje më te madhe, mbi mesataren në nivel vendi (ose mbi 40%) janë ai i Prishtinës, komunave me shumicë serbe dhe ai i Ferizajt. Regjionet me dalje sa mesatarja në nivel vendi janë Gjilani dhe Mitrovica e Jugut ndërsa me dalje më të ulët sesa mesatarja në nivel vendi janë regjioni i Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës.




II. Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit
Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Dukuria më prevalente që e ka përcjellë procesin e votimit që nga mëngjesi kishte të bëjë me ankesat e qytetarëve për t’a gjetur vendvotimin e duhur. Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 17:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listën e Votuesve, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në 53% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Madje, në 18% të vendvotimeve është raportuar që ka pasur deri në 50 raste kur votesit kanë pasur vështirësi për të gjetur vendvotimin e duhur.
Numri i vendvotimeve në gjithë vendin është 2,589 ose 8% më shumë se në vitin 2021.
Votimi me asistencë
Deri në orën 17:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, 6% prej tyre kanë votuar me asistencë, e më shumë se dy të tretat prej tyre janë gra. Këto raste të asistencës konsiderohen të rregullta pasi të njejtat janë evidentuar në Librin e Votimit. Por nuk janë përjashtuar rastet e mosevidentimit të votimit me asistencë dhe atë në 8% të vendvotimeve, deri në 10 raste.
Edhepse votimi me asistencë është i dedikuar kryesisht për votuesit që nuk dijnë shkrim dhe lexim apo ata me aftësi të kufizuara, në 30% të vendvotimeve megjithatë janë hasur raste të izoluara ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë.
Edhe gjatë pasdites, kanë vazhduar të evidentohen raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 15% të vendvotimeve.
Votimi me dokumente të pavlefshme
Dje, KQZ ka marrë vendim që të lejojë votimin edhe me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës (letërnjoftim, pasaportë, patentë shofer) që u ka skaduar afati. Deri në orën 17:00, në 10% të vendvotimeve ka pasur raste të izoluara kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide, siç mund të jenë dokumentet e shteteve të tjera, ose ato të lëshuara nga UNMIK-u.
Fotografimi i votës
Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ka të bëjë me blerjen e votës, frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.
Deri në orën 17:00, raste të izoluara të fotografimit të votës janë hasur në 5% të vendvotimeve.
Shkelje procedurale
Deri në orën 17:00, nuk është raportuar për shkelje te reja procedurale.
***
Tani kur kanë mbetur edhe pak kohë deri në mbyllje të vendvotimeve, DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Pjesëmarrja në zgjedhje përveç që është e drejtë themelore, është edhe përgjegjësi dhe mjet i fuqishëm për të ndikuar në drejtimin e qeverisjes së vendit.
DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike të përmbahen nga çdo veprim që mund të cënojë integritetin e procesit zgjedhor.
DnV pret që institucionet e vendit të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira.
*** Për konferencën e rradhës, DnV do të informojë mediat 30 minuta më herët.
***
Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 9 Shkurtit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Kjo metodë e bazuar në parime statistikore mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi. Për ditën e zgjedhjeve, DnV ka akredituar 500 vëzhgues të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve.