KQZ të bëjë përgatitje të detajuara dhe adekuate për të mundësuar proces të rregullt të votimit fizik nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës

by admin

Zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 9 shkurt 2025 do të sjellin risi në procedurat e votimit, falë ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Për herë të parë, qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës do t’u mundësohet të votojnë fizikisht në 35 përfaqësi diplomatike të vendit ose të dërgojnë fletëvotimet në kutitë postare të këtyre misioneve.

“Demokracia në Veprim” (DnV) e vlerëson këtë hap të KQZ-së si një mundësi të rëndësishme për të rritur pjesëmarrjen zgjedhore të diasporës dhe e përshëndet vendimin për të hapur shumicën e përfaqësive diplomatike (35 nga mbi 50) si qendra votimi.

Sidoqoftë, kufizimi uniform i regjistrimit deri në 1,000 votues për secilin vendvotim – pavarësisht kapaciteteve të ndryshme fizike të këtyre përfaqësive – paraqet sfida të mundshme për procesin zgjedhor. Përvojat e kaluara tregojnë se në rastet e regjistrimit aktiv të votuesve jashtë vendit, veçanërisht kur kjo ndodh për herë të parë, pjesëmarrja është pothuajse 100%.

Për më tepër, duke marrë parasysh se një votues mesatarisht kërkon rreth 3 minuta për të përfunduar procesin e votimit, administrimi i 1,000 votuesve brenda një periudhe prej 12 orësh mund të krijojë vonesa serioze. Kjo situatë mund të bëhet edhe më e ndërlikuar nga ndryshimet e fundit që i lejojnë votuesit të shprehin preferencat për deri në 10 kandidatë, duke shtuar kohën e nevojshme për procesin e votimit.

Në këto rrethana, mund të jetë e domosdoshme zgjatja e orarit të votimit përtej orës 19:00, për të siguruar që të gjithë votuesit e regjistruar të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

DnV thekson se suksesi i procesit të votimit jashtë vendit, që zhvillohet një ditë para votimit në Kosovë, do të ndikojë drejtpërdrejt në atmosferën zgjedhore dhe në perceptimin e besimit të publikut në zgjedhje.

Për këtë arsye, DnV i bën thirrje KQZ-së, subjekteve politike dhe aktorëve të tjerë që të ndërmarrin masat e nevojshme për të informuar dhe motivuar votuesit, duke i inkurajuar ata të votojnë gjatë orëve më të qeta për të shmangur mbingarkesat. Këto hapa janë thelbësorë për të garantuar një proces të rregullt, efikas dhe transparent votimi.

Related Posts

Demokracia në Veprim (DnV) është rrjet i organizatave jo-qeveritare në Kosovë që promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, edukimit të votuesve dhe avokimit për reformë zgjedhore.
 

Të fundit

Kontakti

Bajram Kelmendi n/45 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel/Fax: +383 (0)38 248 038

info@kdi-kosova.org