4th October 2019
I. Aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike
Gjatë 3 ditëve të fundit të fushatës zgjedhore përkatësisht 1-3 tetor 2019, DnV ka vëzhguar 229 aktivitete të subjekteve politike. Formati i aktiviteteve të cilin subjektet politike e kanë preferuar për shpalosjen e programeve të tyre dhe prezantimin e kandidatëve për deputetë ka qenë ai i tubimeve publike, i cilishihet si format optimal për të arritur tek një numër më i madh i qytetarëve dhe tek audiencat e ndryshme si vajzat dhe gratë, votuesit e rinj, personat me aftësi te kufizuara etj. (përkatësisht 82% e tyre). Ndonëse në masë më të vogël, nuk kanë munguar as format tjera të komunikimit me qytetarë si: takimet me grupet e shënjestruara (26 raste), vendosja e shtandeve në hapësira publike (8 raste), vizitat derë-më-derë (5 rast) dhe format tjera (3 raste).
a) Paralajmërimi i aktiviteteve zgjedhore në KKZ
Paralajmërimi me kohë i aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike në Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) përveç që mundëson siguri dhe mbarëvajtje më të mirë të këtyre aktiviteteve, u mundëson qytetarëve të informohen drejtpërdrejtë me programet dhe kandidatët e tyre. Paralajmërimi i aktiviteteve zgjedhore krijon kushte për matje reale të shpenzimeve të subjekteve në fushatë e me këtë rritë transparencën e procesit zgjedhor. Ligji dhe rregullat zgjedhore obligojnë secilin subjekt politik të certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje, që të lajmërojnë në KKZ aktivitetet zgjedhore të planifikuara së paku 24 orë para mbajtjes së tyre. Të dhënat tregojnë se 82% nga gjithsej 229 aktivitete të vëzhguara (në periudhën 1-3tetor 2019) kanë qenë të paralajmëruara në KKZ.
Në tabelën më poshtë janë të dhënat për aktivitetet zgjedhore sipas subjekte politike:
Subjekti politik Numri i aktiviteteve Aktivitetet të paparalajmëruara në KKZ
PDK 73 17
LDK 49 0
LVV 36 5
AAK-PSD 28 6
Lista Serbe 13 7
NISMA – AKR – PD 17 2
KDTP 1 0
Subjektet tjera 12 5
229 (82%) 42 (18%)
b) Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitete zgjedhore
Qytetaria aktive nuk nënkupton vetëm ushtrimin e së drejtës për të votuar në Ditën e Zgjedhjeve. Aktit të votimit duhet t’i paraprijë një informim dhe një pjekuri politike e cila ndër tjera formësohet edhe nga pjesëmarrja në aktivitetet parazgjedhore të subjekteve politike. Duke qenë të informuar mirë për programet dhe premtimet zgjedhore, qytetarët bëhen më të prirur për të mbajtur kandidatët llogaridhënës për premtimet e tyre pas zgjedhjes së tyre. Pjesëmarrja e qytetarëve në 229 aktivitetet zgjedhore të vëzhguara në tre ditët e fundit ishte 79 mijë persona, një pjesëmarrje konstante e pjesëmarrjes është vërejtur në çdo ditë të fushatës. Përjashtim bënë dita e parë e fushatës që mbetet dita me pjesëmarrjen më të madhe të qytetarëve në fushatë.
c) Pjesëmarrja e gruas në aktivitetet zgjedhore
Pjesëmarrja e vajzave dhe grave si folëse (kandidate) në zgjedhje vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me kufirin e kuotës gjinore prej 30%, pavarësisht normave ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore 50:50 në jetën institucionale.
Në 229 aktivitetet zgjedhore të vëzhguara në tre ditët e fundit u regjistruan 893 folës, prej të cilëve vetëm 196 ose 22% ishin gra, përkundër faktit se çdo i treti kandidat në listën e subjektit është grua. Kjo tregon që grave vazhdon të mos ju ofrohet hapësirë e barabartë për të shpalosur idetë e tyre, duke e bërë garën zgjedhore të pabarabartë dhe më pak të favorshme për gratë. Një trend shqetësues është se në disa komuna të vogla ka aktivitete zgjedhore që mbahen pa prani të grave. Kurse pjesëmarrje më e madhe e grave është në aktivitetet që mbahen në qytetet e mëdha.
Subjektet politike duhet t’u japin shanse të barabarta grave dhe burrave për të prezantuar idetë dhe platformat e tyre dhe qasje të barabartë në resurset e tyre.
Sikurse edhe në ciklet paraprake zgjedhore, edhe gjatë kësaj fushate, trendi i pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në aktivitetet zgjedhore mbetet i ulët. Në tre ditët e fundit të fushatës, pjesëmarrja e tyre në 229 aktivitetet e vëzhguara ishte 25%, përqindje konsistente e shpërfaqur gjatë gjithë fushatës.
Sipas subjekteve politike:
Subjekti politik Folësit (burra/gra) Pjesëmarrja e grave
LVV 106/44 29%
LDK 169/49 22.5%
AAK-PSD 107/30 22%
NISMA – AKR – PD 66/18 21.5%
PDK 198/51 20.5%
Lista Serbe 12/2 14%
Tjera 36/5 12%
d) Pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitetet zgjedhore
Gjatë fushatës zgjedhore, fëmijët (nën moshën 18 vjeçare) shpesh janë pre e manipulimeve të subjekteve politike derisa këto të fundit, duke shfrytëzuar pjesëmarrjen e tyre tentojnë të krijojnë avantazh politik. Fëmijët nuk do të duhej të shihen as si mjet, e as si dekor nga ana e subjekteve politike. Rregulla zgjedhore numër 13, paragrafi 5.2 parasheh që fëmijët nën moshën 18 vjeçare nuk mund të jenë pjesë e fushatës për zgjedhje. Pak ditë pas fillimit të fushatës, kjo rregull është ndryshuar nga KQZ për të sqaruar tutje se fëmijët nën moshën 15 vjeçare nuk mund të shfrytëzohen në asnjë formë nga subjektet politike. Por, pavarësisht këtyre kufizimeve, fëmijët vazhdojnë të jenë prezentë në aktivitetet e fushatës zgjedhore. Në tre ditët e para të tetorit, në 229 aktivitete zgjedhore të vëzhguara kanë marrë pjesë afërsisht 1,085 fëmijë, ndërsa në 6 raste pjesëmarrja e tyre ka qenë e organizuar. Pjesëmarrja e fëmijëve është evidentuar në çdo ditë të fushatës zgjedhore.
Sipas subjekteve politike
- LDK në 2 raste në Podujevë dhe në Shtime.
- PDK-së në 2raste në Podujevë.
- Koalicioni AAK-PSD në 1 rast në Gjilan
- KDTP në 1 rast në Prizren.
e) Qasja e personave me aftësi të kufizuara në aktivitete zgjedhore
Liria e lëvizjes dhe e drejta për t’u informuar si të drejta fundamentale të njeriut duhet të garantohen edhe gjatë proceseve zgjedhore. Si rrjedhojë, e drejta për pjesëmarrje në zgjedhje dhe qasja në informim mbi programet zgjedhore të subjekteve politike duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve. Në 75% nga 229 aktivitetet zgjedhore të vëzhguara në tre ditët e fundit kanë qenë të qasshme për personat me aftësi të kufizuar fizike dhe 78 persona me aftësi të kufizuar kanë marrë pjesë. Krahasuar me aktivitetet e organizuara në ditët e mëparshme të fushatës, në këtë tre ditor (1-3 tetor 2019) përqindja e posedimit të infrastrukturës fizike për qasjen e personave me aftësi të kufizuara ka qenë shumë më e lartë. Sipas vlerësimeve të organizatave, në Kosovë jetojnë mbi 200,000 persona me aftësi të kufizuar. Ndërsa një asnjë rast nuk ka pasur folës person me aftësi të kufizuara.
II. Resurset publike në fushatë
Integriteti dhe konkurrenca e drejtë në procesin zgjedhor është e cenueshme kur resurset publike shfrytëzohen për qëllime fushate. Përdorimi i resurseve shtetërore, financiare e njerëzore nga subjektet politike në pushtet krijon avantazh të dallueshëm për ta dhe çrregullon parimin e garës së barabartë në mes të subjekteve por edhe në mes të kandidatëve brenda subjekteve. Edhe pse kufizimet ligjore janë në frymën e parandalimit të këtyre avantazheve dhe forcimit të integritetit dhe barazisë në zgjedhje, subjektet politike të veshura me pushtet, qoftë në nivel qendror apo dhe atë lokal, vazhdojnë të shfrytëzojnë resurset publike.
Shfrytëzimi i resurseve publike ka vazhduar edhe në tre ditët e fundit të fushatës zgjedhore, ku janë evidentuar 8 raste të përdorimit të 25 veturave zyrtare dhe 33 raste të pjesëmarrjes së shërbyesve civilë.
Sipas subjekteve politike:
Veturat zyrtare
Në bazë të aktiviteteve të monitoruara nga DnV, në aktivitetet e PDK-së në 5 raste është vërejtur përdorimi i 22 veturave zyrtare, në aktivitetet e Koalicionit AAK-PSD në 2 rast është vënë re përdorim i 2 veturave zyrtare, ndërsa në aktivitetet e LVV-së në 1 rast është evidentuar përdorim i një veture.
Prania e shërbyesve civil
Po ashtu, është vënë re prani e shërbyesve civil në aktivitetet e organizuara nga PDK në 16 raste, LVV në 6 raste, Koalicioni NISMA-AKR-PD në 6 raste, Koalicioni AAK-PSD në 2 raste dhe LDK në 2 raste.
III. Mesazhet elektorale të subjekteve politike
Në demokracitë e konsoliduara, votuesit mund të zgjedhin midis programeve dhe politikave përmbajtësore të cilat i promovojnë subjektet garuese. Duke propozuar platformat dhe kandidatët e tyre, subjektet politike tentojnë të diferencohen nga njëra tjetra dhe mbi bazën e saj të fitojnë besimin e votuesit. Gjatë gjithë fushatës zgjedhore në Kosovë, subjektet politike kanë shpalosur premtime elektorale, kryesisht ideologjike e të lidhura për tema aktuale që zgjojnë interes dhe emocion tek votuesit. Nuk kanë munguar as akuzat dhe gjuha nxitëse ndaj subjekteve dhe kandidatëve rivalë.
Gjatë tre ditëve të fundit, në fokus të mesazheve elektorale kanë qenë tre sektorë: arsimi, ekonomia dhe shëndetësia. Çështjet të cilat duket që kanë marr më pak vëmendje në përgjithësi, në aktivitetet e monitoruara të subjekteve politike kanë qenë energjia dhe administrata.
Sipas subjekteve politike:
Gjatë këtyre tre ditëv të fushatës zgjedhore, mesazhet e koalicioni AAK-PSD janë fokusuar më së shumti në sektorët: Ekonomi, Shëndetësi dhe Arsim kurse nuk kanë munguar as Infrastruktura dhe Dialogu me Serbinë si tema ndër më të përmendurat.
Mesazhet e LDK-së janë fokusuar më së shumti në sektorët e Arsimit, Ekonomi, Shëndetësi e Drejtësi/ Sundim i Ligjit. Mesazhet e LVV-së janë fokusuar më së shumti në sektorët: Drejtësi e Sundim i Ligjit, Arsim, Shëndetësi dhe Ekonomi. Koalicioni Nisma-AKR-PD janë fokusuar më së shumti në sektorët: Ekonomi, Punësim, Bujqësi, Rini. Ndërsa PDK-ja është fokusuar më së shumti në sektorët: Ekonomi, Arsim, Shëndetësi dhe Sundim i Ligjit. Fjalimet e kandidatëve të Listës Serbe ishin të fokusuar më së shumti në sektorët: Ekonomi, Rini dhe Punësim.
a) Gjuha e urrejtjes
Fushata zgjedhore është hapësirë që u mundëson subjekteve të zhvillojnë një dialog pluralist publik dhe të paraqesin idetë e tyre konkurruese. Nëse kjo hapësirë dialogu ngjyroset me gjuhë të urrejtjes, efektet negative zinxhirore që mund të prodhojë para, gjatë dhe pas fushatës janë të pashmangshme. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes si strategji a mjet fushate nga subjektet dhe kandidatët mund të ngrisë tensione dhe të përshkallëzojë në dhunë në mes të subjekteve, votuesve dhe shoqërisë në përgjithësi. Subjektet politike në ditën 7,8 dhe 9 të fushatës zgjedhore kanë vazhduar të përdorin gjuhë ofenduese dhe fyese kundrejt subjekteve të tjera politike të cilat garojnë në këto zgjedhje. Janë evidentuar një sërë epitetesh me përmbajtje fyese dhe nxitëse, kryesisht të karakterit partiak. Ndërsa nuk ka qenë evidente gjuha e urrejtjes mbi baza etnike, gjinore e fetare.
Nga 229 aktivitete zgjedhore të monitoruara nga DnV-së, mesazhe fyese dhe gjuhë nxitëse me motive partiake është raportuar në 16 raste.
Sipas subjekteve politike
Në aktivitetet e organizuara nga PDK janë raportuar 6 raste të gjuhës fyese me karakter politik, nën organizimin e Koalicionit NISMA-AKR-PD është vënë re përçimi i mesazheve me gjuhë nxitëse me karakter politik në 4 aktivitete aq sa kishte edhe LVV. Ndërsa LDK dhe Koalicioni AAK-PSD kanë nga një rast të përdorimit të gjuhës së urrejtjes me karakter politik.
IV. Edukimi i votuesve nga subjektet politike
Edukimi i votuesit të tyre është një detyrë të cilën subjektet politike duhet t’a përmbushin në mënyrë që të parandalojnë humbjen e votës së tyre. Në përgjithësi, subjektet politike në fushatë vazhdojnë të reduktojnë aktivitetet e tyre “edukuese” përmes shpërndarjes së kartëvizitave të kandidatëve të tyre për deputetë dhe promovimit të numrit të tyre sipas radhitjes në fletëvotim. Gjithsesi nuk kanë munguar raste kur subjektet politike kanë edukuar votuesit për mënyrën se si duhet të votohet.
Edukimi i votuesve është një ndër elementët që u evidentua në 68% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV, në ditën 7,8 dhe 9 të fushatës zgjedhore.
Sipas subjekteve politike:
Subjektet politike të cilat janë marrë me edukimin e votuesve ishin: PDK në 51 raste, LDK në 38 raste, LVV në 20 raste, Koalicion AAK-PSD në 21 raste, Koalicioni Nisma-AKR-PD në 14 raste, Lista Serbe në 6 raste, KDTP në 1 rast dhe subjekte të tjetra në 4 raste.
V. Atmosfera e aktiviteteve zgjedhore
Në përgjithësi, atmosfera në të cilën po zhvillohen aktivitetet zgjedhore cilësohet e qetë. Në shumicën e rasteve të monitoruara, Policia e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore.
a) Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesit
Cenimi i përcaktimi të lirë të votuesit, përveç që dëmton mendimin autonom të tij në këmbim të të mirave materiale për shkak të varësisë ekonomike, është edhe vepër penale e dënueshme. DnV është duke përcjell me vëmendje rastin e ish-deputetit Ramiz Kelmendi dhe veprimet e Prokurorisë së Shtetit në hetimin e rastit të tij si cenim i përcaktimit të lirë të votuesve, përkatësisht punëtorëve të kompanisë, pronare e së cilës është ish-deputeti. DnV i bënë thirrje Prokurorisë që sa më shpejtë të dal me rezultate konkrete ashtu që të parandalojnë edhe raste të tjera të ngjashme.
b) Ofrimi i sigurisë në aktivitetet zgjedhore
Në shumicën e rasteve të monitoruara Policia e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore. Nuk kanë munguar edhe pse në numër shumë më të ulët, ofrim të sigurisë nga sigurimi apo mbrojtja e afërt. Në rreth 27% e aktviteteve të monitoruara nga ka pasur fare sigurim.
c) Prania e mediave
Në tre ditët e dyta të fushatës prania e mediave është raportuar të jetë e ulët, ku raportohet që vetëm rreth 32% e aktiviteteve kanë qenë të ndjekura nga mediat.
VI. Ankesat në PZAP:
DnV gjatë 9 ditëve të monitorimit të fushatës, ka dorëzuar gjithsej 23 ankesa prej të cilat 13 janë miratuar ndërsa janë shqiptuar gjoba në shumë prej 60,650 euro. Dy (2) ankesa të DnV-së janë refuzuar kurse 8 të tjera janë në shqyrtim nga PZAP.
VII. Shpenzimet e subjekteve politike
Vëzhguesit e DnV-së kanë vazhduar me monitorimin e shpenzimeve që subjeketet politike kanë bërë për aktivitetet e tyrë në fushatë. Edhe gjatë ditës 7, 8 dhe 9 të fushatës, sipas raportimeve nga vëzhguesit e DnV-së, subjektet politike kanë shpenzuar rreth 535,181 euro në aktivitete partiake. Kjo e çon vlerën e përgjithshme të shpenzuar në aktivitete zgjedhore deri në ditën e nëntë në 2 milionë e 125 mijë euro.
*Për kalkulim të shpenzimeve janë përdorur çmimet mesatare të tregut. Në këtë kalkulim nuk përfshihen zbritjet e mundshme të çmimeve nga operatorët ekonomik që ofrojnë për subjektet politike apo kandidatët për deputet.
Ndarja sipas subjekteve politike e shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore për ditën 7, 8, dhe 9 të fushatës zgjedhore mund të shihet në tabelën më poshtë:
Subjektet Politike | Shpenzimet |
PDK | € 165,431 |
LVV | € 108,469 |
AAK – PSD | € 99,951 |
LDK | € 79,600 |
NISMA – AKR – PD | € 31,257 |
LISTA SERBE | € 28,797 |
Të tjera | € 21,676 |
TOTAL | € 535,181 |
Ndërsa, për një pasqyrë të shpenzimeve të secilit subjekt politik ne aktivitete të fushatës zgjedhore, nga dita e parë e deri më sot:
Subjektet Politike | Shpenzimet |
LDK | € 781,645 |
PDK | € 446,960 |
LVV | € 325,570 |
AAK – PSD | € 252,433 |
NISMA – AKR – PD | € 158,309 |
LISTA SERBE | € 107,004 |
Të tjera | € 53,803 |
TOTAL | € 2,125,725 |
VIII. Monitorimi i mediave gjatë fushatës
Sa i përket monitorimit të mediave, për kronikat e televizioneve, të dhënat për periudhën 1-3 tetor, tregojnë që më së shumti mbulueshmëri ka pasur koalicioni AAK – PSD me 67 minuta, PDK me 65 minuta, pastaj Lista Serbe me 63 minuta, VV me 62 minuta, LDK me 58 minuta, Nisma AKR-PD me 49 minuta dhe partitë tjera me rreth 15 minuta total.
Kurse sa i përket minutazhës së spoteve reklamuese të subjekteve politike përfshirë edhe tubimet e transmetuara në TV, të dhënat e monitorimit nga 8 televizione tregojnë se AAK-PSD prinë me 767 minuta, PDK me 644 minuta, LDK me 533, VV me 198 minuta, Nisma-AKR-PD me 169 minuta, Lista Serbe me 165 dhe SLS me 18 minuta dhe partitë tjera me rreth 17 minuta.
Nga monitorimi i transmetimeve direkte “livestream” përmes Facebookut të portaleve, prinë LDK me 1123 minuta nga katër portale, koalicioni AAK-PSD me 934, nga 5 portale, PDK me 639 minuta nga gjashtë portale(përfshirë RTK e transmeton vetëm tubime të PDK-së) dhe Nisma – AKR –PD që ka 338 minuta ‘livestream’ nga vetëm 4 portale, VV me 71 minutë nga vetëm një portal dhe të partitë tjerat nuk kanë.