Prishtinë, 23 Mars 2011, Demokracia në Veprim ka organizuar të martën një punëtori me temën “Inputi i Organizatave të Shoqërisë Civile në Draft-Raportin e Monitorimit të Zgjedhjeve Parlamentare 2010 dhe nevoja për Reformë Zgjedhor”. Në këtë punëtori ishin të ftuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe ekspertë vendorë e rajonal, të cilët diskutuan lidhur me dy punimet e hartuara nga Demokracia në Veprim, draft Raportin e Monitorimit të Zgjedhjeve Parlamentare 2010 si dhe draft Analizën e Ndryshimeve të Legjislacionit Zgjedhor.
Gjatë kësaj punëtorie përfaqësues të OSHC-ve paraqitën rekomandimet e tyre lidhur me këto draft – punime si dhe u diskutua lidhur me hapat që duhet ndërmarrë në të ardhmen për të siguruar një reformim të mirëfilltë së sistemit zgjedhor.
Eksperti rajonal, z. Darko Aleksov – njëherit edhe Drejtor Ekzekutiv i organizatës MOST, organizatë kjo me profil të monitorimit të zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë, paraqiti shembujt e mirë që ishin ndjekur nga ana e shoqërisë civile në reformimin e sistemit zgjedhor në shtetin e tij. Po ashtu, z. Aleksov paraqiti rekomandimet e tij, të cilat në të ardhmen do të mund të siguronin një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe demokratik. Ish Kryetari i KQZ-së, z. Mazllum Baraliu njohës i mirë i rrethanave në vendin tonë propozoi ndryshimin e formatit të Grupit për Reformë Zgjedhore, si dhe zgjerimin e debatit lidhur me këtë çështje – të cilat më vonë në formë të amendamenteve do të miratohen nga Kuvendi i Kosovës. Konkluzion i përgjithshëm që doli nga kjo punëtori paraqitet të jetë formimi i një Kodi Zgjedhor, i cili do të përfshihet në një dokument të vetëm dhe t’i iket praktikës së hartimit të disa ligjeve që i rregullojnë këto çështje dhe të cilat në disa raste janë edhe kontradiktore njëra me tjetrën. Po ashtu, pas vërejtjeve të Raportit të Progresit 2010 – nga Komisioni Evropian, këto ligje do të duhej të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Duke i pasqyruar rekomandimet nga të gjeturat e Demokracisë në Veprim nga Zgjedhjet e fundit Parlamentare, reforma zgjedhore paraqitet të jetë e domosdoshme për të ndërtuar një sistem të mirëfilltë zgjedhor.
Organizimi i kësaj punëtorie u mundësua duke iu falënderuar mbështetjes së The Balkan Trust for Democracy, Mbretërisë Holandeze dhe Ambasadës Britaneze në Prishtinë.
Punëtoria: “Inputi i Organizatave të Shoqërisë Civile në Draft-Raportin e Monitorimit të Zgjedhjeve Parlamentare 2010 dhe nevoja për Reformë Zgjedhor”
3