Demokracia në Veprim është koalicion i organizatave joqeveritare kosovare. U formua në vitin 2007, shumica prej të cilave kishin përvojë të mëhershme në monitorimin e zgjedhjeve. Demokracia në Veprim mbështetë promovimin e zgjedhjeve të lira si pjesën më thelbësore për një shoqëri demokratike.
Objektivi kryesor i Demokracisë në Veprim është sigurimi i një procesi zgjedhor sipas standardeve ndërkombëtare dhe udhëheqje politike që inspiron besim tek qytetarët.
Stimulimi i besimit në praktikat demokratike përmes promovimit dhe mbështetjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta është misioni që mban koalicioni Demokracia në Veprim.
Përmes pjesëmarrjes së shoqërisë civile ky koalicion promovon: pjesëmarrjen në zgjedhje të lira përmes edukimit të votuesve, ndërtimin e besimit në transparencë dhe zgjedhje të paanshme lokale, promovon te drejtën dhe obligimin e qytetarëve që të jenë pjesë e procesit zgjedhor, bashkëpunon me organizata vendore, rajonale dhe ndërkombëtare për avancimin e jetës demokratike në Kosovë
Gjatë procesit të rivotimit në pesë komunat e Kosovës: Deçan, Skenderaj, Drenas dhe në dy qendrat e votimit në Malishevë dhe Lipjan, Demokracia në Veprim ka pasur të angazhuar mbi 500 vëzhgues, dhe mbi disa ekipe mobile në çdo komunë. Po ashtu Demokracia në Veprim ka pasur të angazhuar edhe 60 vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve dhe Komunikimit.
Dalja në votime
Bazuar në të dhënat e vëzhguesve të Demokracisë në Veprim numri votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në Komunat që kanë qenë pjesë e procesit të rivotimit është si në vijim:
Skenderaj 57.97 %; Drenas 53.77% ( pa përfshirjen e dy vendvotimeve në Korreticë të Epërme, për shkak të largimit të vëzhguesvë të DnV-së pas kërcënimeve ndaj tyre); Deçan 33.79 %; Lipjan 53.06 % si dhe Malishevë 36.30 %.
Gjetjet e përgjithshme nga dita e zgjedhjeve:
- Procesi i rivotimit në pesë komunat e Kosovës me 09 janar 2011, është përcjellë në një masë me parregullsitë të cilat e kanë shoqëruar edhe procesin zgjedhor të 12 dhjetorit 2010.
- Nga aspekti i organizimit teknik, KQZ ka siguruar që materiali i domosdoshëm zgjedhor të jetë i pranishëm në të gjitha vendvotimet në kohën e duhur, si dhe nuk është shënuar ndonjë rast ku ka pasur vërejtje mbi kualitetin e këtyre materialeve. Megjithatë përkundër kësaj janë evidentuar raste kur komisionerët nuk kanë përdorur fare llambat ultravjollce (identifikuese).
- Demokracia në Veprim vlerëson se përkundër ndërrimit të komisionerëve nga ana e KQZ-së, nuk janë realizuar të priturat për shmangie të parregullsive.
- Procesi zgjedhor është zhvilluar nën presion, ku janë evidentuar edhe disa raste dhe situata të kërcënimit ndaj vëzhguesve të Demokracisë në Veprim, madje edhe janë dëbuar me dhunë nga Vendvotimi, gjatë procesit të votimit dhe numërimit. ( dy raste); Në fshatin Kllodernicë të Skenderaj automjetit të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim i janë shpërthyer gomat, me ç’rast ka intervenuar Policia e Kosovës për të garantuar sigurinë e tyre.
- Gjatë këtij procesi të rivotimit janë evidentuar 68 raste të votimeve të shumëfishta.
- Po ashtu gjatë këtij procesi janë evidentuar rreth 227 raste ku i njëjti person ka asistuar më shumë se një person.
- Votimi familjar edhe më tutje mbetet shkelja më e shpeshtë në proceset zgjedhore në Kosovë. Votimi familjarë apo prezenca e dy e më shumë persona në kabinën e votimit kanë qenë shumë të shprehura në shumë vendvotime. Janë evidentuar mbi 2344 raste të votimeve familjare.
- Po ashtu gjatë këtij procesi është paraqitur problem edhe mungesa e energjisë elektrike në 7 qendra të votimit.
- Gjithashtu janë evidentuar edhe shumë raste të prezencës në vendvotime të personave të paautorizuar dhe asistencës së më shumë se një personi, madje edhe në rastet kur qytetarët nuk kanë kërkuar asistencë.
- Demokracia në Veprim i bënë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprimet e duhura ndaj personave të përfshirë në parregullsi, në mënyrë që ata të përgjigjen për veprimet e tyre të kundërligjshme.
- Procesi i numërimit është përcjellë me disa parregullsi, si mospërputhja e numrit të nënshkrimeve dhe numrit të fletëvotimeve në kutitë e Votimit.
Po ashtu janë në pesë vendvotime janë evidentuar raste të plotësimit të formularëve nga ana e komisionerëve duke ia vënë numrin e votave kandidatëve sipas preferencës së komisionerëve, pa i numëruar fare fletëvotimet e votuese për kandidatë e subjekteve.