Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), e përbërë nga 10 organizata anëtare dhe 38 organizata të tjera partnere, ka përfunduar të gjitha përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit. DnV do të jetë koalicioni më i madh vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve në Drenas, me 99 vëzhgues të akredituar, 4 ekipe lëvizëse në teren, 8 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe staf mbështetës të cilët do të përkujdesen për vëzhgimin e procesit zgjedhor.
Që nga hapja e fushatës zgjedhore, DnV ka përcjellë tubimet e kandidatëve, takimet me grupet e interesit dhe vizitat e tyre në shtëpi private. DnV ka takuar të gjithë kandidatët që janë në garë për t’u informuar me ecurinë e fushatës, si dhe ka zhvilluar takime me zyrtarë të KQZ-së dhe KKZ-së për të njohur më afër me përgatitjet lidhur me organizimin e zgjedhjeve.
Përkundër afateve zyrtare që KQZ ka përcaktuar për fillimin e fushatës, kandidatët kishin flluar të bëjnë fushatë shumë më herët dhe kjo për shkak që korniza ligjore nuk përcakton sanksione. Rrjedhimisht rregullimi i sanksioneve duhet medoemos të adresohet në reformën zgjedhore.
DnV vlerëson se fushata zgjedhore ka qenë e qetë dhe nuk janë shënuar incidente serioze të cilat do të mund të dëmtonin mbarëvajtjen e saj, ndonëse ka pasur parregullësi të cilat janë identifikuar nga ekipet tona në terren, e që përfshijnë:
Përdorimin e fëmijëve në fushatë zgjedhore, madje në raste të caktuara edhe në mënyrë të organizuar;
Shfrytëzimin e veturave zyrtare për qëllime partiake dhe prani të shërbyesve civile në tubime;
Vendosjen e materialeve propaganduese të kandidatëve në shenja të komunikacionit, shtylla elektrike, hapësira publike të cilat nuk janë të destinuara për këtë qëllim;
Në raste të caktuara gjuha e përdorur ka qenë ofenduese për kundër kandidatët;
Si rezultat i këtyre shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, DnV ka dorëzuar dy ankesat e para në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj dy subjekteve të ndryshme politike. Edhe gjatë ditës së zgjedhjeve fokusi jonë do të jetë në mbledhjen e fakteve në rast të keqpërdorimeve dhe dorëzimin e tyre para organeve përgjegjëse.
Vlerësojmë si pozitive angazhimin e KQZ-së për organizmin e zgjedhjeve, me përjashtim të rastit të largimi nga fletëvotimi të dy kandidatëve të certifikuar, vendim i cili u anulua nga PZAP. Policia ka qenë e pranishme në tubimet publike dhe ka kryer me profesionalizëm punën e saj. Është e mirëseardhur përfshirja e Prokurorëve në ditën e zgjedhjeve, përfshirje kjo e treguar e efektshme në zgjedhjet e kaluara. Nga kandidatët kërkojmë që të ju përmbahen rregullave të garës, kurse nga qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në ditën e zgjedhjeve.
Demokracia në Veprim paraqet raportin për fushatën zgjedhore në Drenas, njofton për përgatitjet për vëzhgim
14