Objektivi kryesor i koalicionit të OJQ-ve monitoruese “Demokracia në Veprim” është sigurimi i një procesi zgjedhor sipas standardeve universale për zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta, si dhe vëzhgim të paanshëm të procesit zgjedhor që inspiron besim tek qytetarët. Koalicioni Demokracia në Veprim është duke vëzhguar fushatën zgjedhore në Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershori 2014. Demokracia në Veprim lëshon për media deklaratën e dytë për të gjeturat dhe mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore në gjithë Kosovën.
Gjetjet preliminare:
- DnV e vlerëson mbarëvajtjen e gjertanishme të fushatës elektorale si të qetë dhe pa ndonjë incident të shënuar;
- PZAP anulon vendimin e KQZ-së për ndalimin e publikimit të posterave promovues të madhësisë B2;
- Propozimi për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pa bazë ligjore;
- Bojkoti i subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës në veri të vendit, dëmton interesat e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës;
- Pjesëmarrje tejet e ulët e grave në tubime elektorale. Në 89 tubime publike, pjesëmarrja e tyre nën 5%;
- Zyrtarët e institucioneve publike po përdorin burime shtetërore në aktivitetet elektorale të partive politike;
- DnV ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të vazhdojnë me maturi aktivitetet e tyre elektorale, duke prezantuar vlera dhe programe konkurruese;
1. DnV e vlerëson mbarëvajtjen e fushatës elektorale si të qetë, dhe pa ndonjë incident të shënuar;
Demokracia në Veprim, bazuar në të dhënat e monitoruesve të këtij koalicioni të cilët kanë monitoruar rreth 208 tubime publike të subjekteve politike, vlerëson se fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershori 2014, po zhvillohet e qetë, civile dhe pa ndonjë incident të shënuar.
2. PZAP anulon vendimin e KQZ-së për ndalimin e publikimit të posterave promovues të madhësisë B2;
Demokracia në Veprim e vlerëson si të drejtë vendimin e PZAP-së, për anulimin e vendimit të KQZ-së për ndalimin e publikimit të posterave promovues të madhësisë B2. Pavarësisht qëllimit konstruktiv që KQZ pretendonte të arrinte me këtë vendim, DnV vlerëson se ky institucion nuk është organ ligjdhënës dhe nuk ka të drejtë të nxjerrë akte të cilat bien në kundërshtim me Ligjin bazik – Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
3. Propozimi për ri-numërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pa bazë ligjore;
DnV- po ashtu shprehë shqetësimin e saj lidhur me propozimin e disa anëtarëve të KQZ-së, për nxjerrjen e një vendimi për ri-numërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). DnV vlerëson se miratimi eventual i kësaj nisme, gjithashtu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ka përcaktuar qartë se në cilat raste QNR mund të bëj ri-numërimin e votave.
Në nenin 74 pika 10 e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është përcaktuar se “KVV-ja është përgjegjëse për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në Vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë në Vendvotim nga KKZ-ja”. Pra ky nen ka përcaktuar kompetencën e KVV-ve për numërimin e votave.
Ndërkaq Neni 106.2 i po këtij ligji thotë se: “Para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, KQZ-ja mund të urdhërojë rinumërimin e votave në cilindo vendvotim, qendër të numërimit ose edhe përsëritjen e votimit në një qendër votimi apo në një komunë”. Interpretimi i kësaj dispozite nxjerrë konkluzionin se KQZ mund të marr vendim për rinumërimin e votave në cilindo vendvotim apo qendër të votimit vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i votimit, dhe në asnjë rast në fazat paraprake.
4. Bojkoti i subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës në veri të vendit, dëmton interesat e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës;
Paralajmërimi i krerëve të katër komunave të pjesës veriore të Kosovës se do të heqin dorë nga aktivitetet e lidhura me zgjedhjet e 8 qershorit, përderisa Komisioni i Zgjedhjeve në Kosovë të plotësonte kërkesat e tyre si heqja e simboleve të Kosovës nga fletëvotimet dhe që përfaqësuesit serbë të bëhen pjesë e këshillave të vendvotimeve në pjesën jugore të Kosovës, dëmton interesat e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës.
Sipas të dhënave të vëzhguesve të DnV-së, në pjesën veriore të vendit Komisionet Komunale Zgjedhore kanë ngrirë aktivitetin e tyre. Jozyrtarisht mësojmë që sot pritet të takohet Komisioni Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut dhe të diskutohet lidhur me këtë çështje.
Nga ana tjetër në pjesën jugore të vendit në komunat me shumicë serbe, Komisionet Komunale Zgjedhore janë në vazhdën e mbajtjes së aktiviteteve të trajnimit të anëtarëve të KVV-ve. Partitë politike kanë hapur shtabet zgjedhore dhe ato janë funksionale si në Graçanicë, Partesh dhe Kllokot.
5. Pjesëmarrje tejet e ulët e grave në tubime elektorale. Në 89 tubime publike, pjesëmarrja e tyre nën 5%;
Pjesëmarrja e grave në fushata elektorale të subjekteve politike, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vogël. Nga 208 aktivitetet e monitoruara nga vëzhguesit e DnV-së, në 89 prej tyre apo në 41%, pjesëmarrja e grave ka qenë nën nivelin e 5%.
6. Zyrtarët e institucioneve publike po përdorin burime shtetërore në aktivitetet elektorale të partive politike;
Shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime elektorale, përkundër që është veprim i ndaluar me Kodin e Mirësjelljes së Subjekteve Politike, vazhdon nga subjektet politike.
Neni 5 i Kodit të Mirësjelljes
“Personi që mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga burimet e asnjë institucioni të administratës publike, qoftë të nivelit qendror ose lokal, ose edhe ndonjë ndërmarrjeje në zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje”.
Deri më tani vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar 41 raste të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Veturat zyrtare janë hasur gjatë aktiviteteve parazgjedhore kryesisht nga subjektet politike në pushtet. Nga 41 rastet e raportuara 15 prej tyre janë përdorur nga PDK apo 36.5% të rasteve, në 9 raste nga AKR, 7 nga LDK si dhe 6 nga AAK.
Gjithashtu jo vetëm nga monitoruesit por vërejtje të shumta janë paraqitur dhe nga subjektet politike, kryesisht opozitare në lidhje me shfrytëzimin e punëtorëve të administratës së komunës, mjekëve si dhe të arsimtarëve në aktivitetet elektorale.
Janë raportuar dy raste ku për shkak të fushatës është ndërprerë puna e spitaleve, në Mitrovicë dhe Gjakovë. Në Mitrovicë për shkak të aktiviteteve elektorale të kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi në këtë qytet, udhëheqësit e spitalit kanë urdhëruar mbylljen e tij. Kurse në Gjakovë gjatë vizitës që Thaçi i ka bërë spitalit, është ndërprerë puna e këtij institucioni.
7. OJQ-të dhe Media në fushatën zgjedhore
Edhe në këtë fushatë elektorale janë evidentuar disa raste kur mediet janë penguar për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Raste të tilla janë evidentuar në 3 raste, 1 në tubimin e PDK-së në Gjakovë (Hotel President me 29/05/ 2014), 1 në tubimin e LVV-së në Gjakovë (Restaurant IceBerg 29/05/2014) dhe 1 në tubimin e SLS (Leposavic 28/05/2014).
Gjithashtu problem për mediat dhe OJQ-të monitoruese ka paraqitur mos lajmërimi i aktiviteteve të subjekteve politike në KKZ. Mediet dhe shoqëria civile në shumë raste kanë qenë konfuz rreth agjendave të partive, pasi ato edhe në ato raste kur lajmëroheshin në KKZ nuk përputheshin me aktivitetet e paralajmëruara.