Sikurse në zgjedhjet e mëhershme, koalicioni i organizatave jo-qeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), është duke vëzhguar procesin e përgatitjeve zgjedhore, përfshirë punën e organeve menaxhuese të zgjedhjeve dhe fushatën e subjekteve politike. DnV ka angazhuar tanimë 60 vëzhgues afatgjatë të cilët janë duke përcjell parafushatën e subjekteve politike garuese, punën e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) si dhe janë angazhuar për rekrutimin e vëzhguesve që do të bëjnë monitorimin e ditës së zgjedhjeve.
1. “Parafushata” e subjekteve politike
Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se subjektet politike nuk janë duke respektuar Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme dhe vendimin e KQZ-së për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore. DnV konsideron se fillimi i aktiviteteve elektorale të subjekteve politike para fillimit zyrtar të fushatës elektorale, paraqet abuzim me paqartësitë ligjore që ka legjislacioni aktual zgjedhor, duke mos i saktësuar masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre subjekteve që fillojnë aktivitete të fushatës elektorale ende pa filluar zyrtarisht ajo.
DnV gjithashtu shprehë shqetësimin e saj lidhur me shfrytëzimin e resurseve publike për qëllime elektorale. Një praktikë e tillë po aplikohet me theks të veçantë nga ana e subjekteve politike që janë në pushtet, edhe pse kjo çështje është e ndaluar me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, ku në nenin 5 të tij thuhet se:
“Personi që mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga burimet e asnjë institucioni të administratës publike, qoftë të nivelit qendror ose lokal, ose edhe ndonjë ndërmarrjeje në zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje”.
Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar se në disa qytete, punëtorët e administratës publike gjegjësisht shërbyesit civil kanë ndërprerë punën me qëllim të pjesëmarrjes së tyre në një aktivitet elektoral të caktuar. Një veprim i tillë duhet të ndërpritet sepse bie ndesh me ligjet e aplikueshme në vend.
2. Monitorimi i punës së organeve që menaxhojnë me procesin zgjedhor
2.1 KQZ-ja
DnV në vazhdimësi ka monitoruar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe gjatë periudhave zgjedhore edhe punën e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ). Monitoruesit e Demokracisë në Veprim gjerë më tani nuk hasur në ndonjë parregullësi apo shkelje ligjore sa i përket zbatimit të planit operacional nga ana e KQZ-së. Përderisa DnV është plotësisht e përkushtuar që paraja publike mos të keqpërdoret, ndërprerja e informimit publik vetëm disa ditë para ditës së zgjedhjeve nuk është në dobi të procesit zgjedhor. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e kaluara ka pasur mbi 10% të votave të pavlefshme dhe kjo kryesisht ka ardhur si rezultat i mungesës së informatave që votuesit kanë pasur për atë se si të votohet. Në këtë aspket, DnV kërkon nga OSHP që të trajtojë këtë rast me prioritet dhe të gjendet një zgjidhje për informimin e votuesve në mënyrë urgjente.
Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë vërejtur që në dy mbledhjet e fundit të KQZ-së nuk ka qenë e pranishme Kryetarja e këtij institucioni znj. Valdete Daka. Duke e pasur parasysh që data e zgjedhjeve është shumë afër dhe që znj. Daka është i vetmi person apolitik në përbërjen e KQZ-së, atëherë inkurajojmë znj. Daka që të jetë më proaktive gjatë procesit të zgjedhjeve dhe të jetë e rregullt në takimet e KQZ-së. .
2.1 KKZ-të
Pothuajse në shumicën e komunave të Kosovës, Komisionet Komunale Zgjedhore nuk janë duke organizuar takime formale sipas obligimeve ligjore që sjell Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Bazuar në informatat e vëzhguesve të DnV-së, takimet e disa KKZ-ve mbahen spontanisht dhe në ambiente jashtë institucionale. Mungesa e informatave për kohën e takimeve, mungesa e procesverbaleve si dhe mungesa e kopjeve të vendimeve të marra, ka bërë që qytetarët e Kosovës të mos kenë informata lidhur me aktivitete në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve nga organet kompetente lokale si vartëse të KQZ-së.
2.2. Trajnimet e KVV-se
Duke pasur parasysh që trajnimet e komisionerëve të zgjedhjeve kanë qenë një nga pikat e dobëta të zgjedhjeve të kaluara, DnV i bënë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë një monitorim më rigoroz nëpër komuna dhe mos të lejojë që të punojnë në ditën e zgjedhjeve ata komisionerë që nuk i vijojnë trajnimet. Në bazë një raporti të publikuar nga vetë KQZ, së paku 4% nga totali i votave të shpallura si të pavlefshme në zgjedhjet e kaluara kanë qënë të vlefshme. Në këtë aspekt një pjesë të përgjegjësisë duhet të marrin edhe vetë partitë politike që nominojnë për komisionerë persona që nuk kanë aftësitë e duhura që t’a kryejnë një punë të tillë.
3. Thirrje subjekteve politike dhe KQZ-së
Me qëllim që fushata zgjedhore të zhvillohet në atmosferë të qetë dhe konkurruese, DnV ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i respektojnë të gjitha aktet normative që rregullojnë sjelljen e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
DnV- gjithashtu i bën thirrje KQZ-së që ti kushtojë rëndësi të veçantë procesit të trajnimit të komisionerëve, duke i ofruar atyre trajnime sa më profesionale në mënyrë që të garantohet procesi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve.
4. Përgatitjet e DnV-së
Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, me qëllim të vëzhgimit të aktiviteteve të “para-fushatës”, fushatës elektorale dhe përgatitjet për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së dhe organeve tjera relevante, ka të angazhuar 90 vëzhgues afatgjatë, nga të cilët 30 do të jenë nga organizatat me nevoja të veçanta. Gjatë ditës së zgjedhjeve do të jenë të angazhuar të angazhuar 2,800 vëzhgues, prej tyre 350 do të jenë nga organizatat e personave me nevoja të veçanta. Për herë të parë Demokracia në Veprim ka bërë partneritet zyrtar me Handikos që personat me aftësi të kufizuar të jenë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve në një shkallë më të gjerë. Këta vëzhgues do ta përcjellin fushatën zgjedhore dhe rrjedhën e votimit, ku theks të veçantë do ta kenë mundësitë që institucionet për administrimin e zgjedhjeve u ofrojnë kësaj kategorie për realizimin e të drejtës demokratike për të votuar.
DnV gjithashtu do ti ketë të angazhuar rreth 130 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe marrjes së rezultatit.
Edhe në këtë proces elektoral Demokracia në Veprim në partneritet me Fondacionin SOROS, do të ofrojë qytetarëve mundësinë që përmes SMS falas të dërgojnë mesazhe për parregullsitë që hasin gjatë procesit zgjedhor në numrin: 500 88.
Gjatë fushatës parazgjedhore DnV do të dalë me konferenca për shtyp për të cilat mediat do të lajmërohen me kohë.
Vëzhgimi i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës mbështetet financiarisht nga USAID, Ambasada e Norvegjisë në Kosovë dhe Fondacioni SOROS.
Fushata nis para kohe – Resurset publike në shërbim të saj
17