Të ndryshme

Deklaratë preliminare lidhur me procesin e votimit në Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013

Demokracia në Veprim (DnV) është koalicion i organizatave joqeveritare i formuar në vitin 2007. Objektivi kryesor i koalicionit të OJQ-ve monitoruese “Demokracia në Veprim” është sigurimi i një procesi zgjedhor sipas standardeve universale për zgjedhje të lira e të drejta dhe të barabarta dhe vëzhgim të paanshëm të procesit zgjedhor që inspiron besim tek qytetarët.

DnV me angazhimin e 1600 vëzhguesve ka monitoruar procesin e votimit në Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, në ditën e votimit, DnV ka pasur Qendrën e saj të Thirrjeve dhe komunikimit me publikun me 130 vullnetarë të angazhuar. 

Sot, DnV lëshon për media deklaratën preliminare për të gjeturat dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit. Për më shumë, DnV do të vazhdojë të përcjellë edhe procesin e balotazhit në të gjitha ato komuna ku do të realizohet një proces i tillë.

Dalja në votime 

Bazuar në të dhënat e vëzhguesve të DnV-së, të drejtën për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës e kanë shfrytëzuar 803.359 votues apo 48,83% nga gjithsej 1.779.357 sa ishin të regjistruar në listën përfundimtare të votuesve.

Administrimi teknik i procesit zgjedhor

Nga aspekti i organizimit teknik, KQZ ka siguruar që materiali i domosdoshëm zgjedhor të jetë i pranishëm në të gjitha vendvotimet në kohën e duhur, si dhe në përgjithësi nuk është shënuar ndonjë rast ku ka pasur vërejtje mbi kualitetin e këtyre materialeve. 

Gjetjet e përgjithshme nga dita e zgjedhjeve: 

  1. Bazuar në të dhënat e vëzhguesve të DnV-së, vlerësimi i përgjithshëm është që procesi zgjedhor në ditën e votimit për Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013, përkundër disa parregullsive të vogla, ka qenë një proces zgjedhor i qetë, i rregullt dhe demokratik, me përjashtim të veriut të vendit.
  2. DnV e vlerëson si shqetësuese mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në pjesën veriore të vendit, ku qytetarët e asaj pjese nuk kanë mundur të votojnë lirshëm. DnV po ashtu shprehë shqetësim se institucionet përgjegjëse për siguri në këtë pjesë, nuk kanë arritur të ofrojnë sigurinë e duhur për të garantuar një proces të lirë dhe të barabartë.
  3. DnV kërkon nga KQZ dhe OSBE, që sa më shpejtë që është e mundur të bëjë transparent rrjedhën e ngjarjeve në Mitrovicën e Veriut, por edhe në tri komunat tjera të veriut (Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok) ku votimi është përfunduar para kohe dhe ka një paqartësi se çfarë ka ndodhur me kutitë e votimit dhe a kanë qenë nën mbikëqyrjen e administrueseve të zgjedhjeve.
  4. DnV e vlerëson pjekurinë civile të qytetarëve të Kosovës të dëshmuan në ditën e zgjedhjeve duke dalë në nivel të kënaqshëm në votime për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese.
  5. DnV po ashtu e vlerëson maturinë e subjekteve politike të cilët e treguan gjatë ditës së djeshme, si dhe qasjen profesionale të mekanizmave shtetërorë për parandalimin e abuzuesve të procesit zgjedhor.
  6. Përkundër vlerësimit pozitiv të procesit në përgjithësi, DnV vlerëson se edhe në këto zgjedhje janë evidentuar disa parregullsi që pothuajse në vazhdimësi po i përcjellin proceset elektorale në vendin tonë.
  • Gjatë vëzhgimit nga monitoruesit janë evidentuar raste të prezencës së personave të paautorizuar të cilët kanë tentuar të ndikojnë në përcaktimin e qytetareve për të votuar.
  • Votimi familjar edhe më tutje mbetet shkelja më e shpeshtë në proceset zgjedhore në Kosovë. Votimi familjarë apo prezenca e dy e më shumë persona në kabinën e votimit kanë qenë raste të shprehura në shumë vendvotime. Janë evidentuar mbi 200 raste të votimeve familjare.
  • DnV ka identifikuar një numër të rasteve të fenomenit të “votës së korruptuar” ku dyshohet se votuesit kanë bërë fotografimin e votës.
  • Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar disa raste të tentimit nga qytetarë të papërgjegjshëm për të votuar dy herë, por vlen të theksohet që ka qenë reagimi i komisioneve të cilat nuk kanë lejuar të votohet më shumë se një herë.
  • Janë identifikuar shumë probleme me “Listat e votuesve” si rezultat i mos pastrimit të tyre. Prania e personave të vdekur në lista si dhe ndërrimi i vendvotimeve për votuesit kanë qenë raste të shprehura në disa komuna të Kosovës.
  • Gjatë këtij procesi gjithashtu janë evidentuar disa raste ku i njëjti person ka asistuar më shumë se një person.

DnV kërkon nga qytetarët, subjektet politike dhe mekanizmat shtetërorë, që të dëshmojnë pjekuri, maturi dhe profesionalizëm edhe në procesin e balotazhit dhe proceset tjera elektorale.

Postime të ngjajshme
Të ndryshme

DnV: Procesi i votimit fillon në kohë

BallinaKomunikatë për mediaTë ndryshme

DnV: Fushatë zgjedhore e qetë, me ofertë të pasur programore, por me neglizhencë të masave anti-COVID

Të ndryshme

PARTITË POLITIKE VS TRANSPARENCA NË FUSHATË

Të ndryshme

DnV prezanton raportin e parë javor nga monitorimi i fushatës zgjedhore dhe mediave

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *