Të ndryshme

Demokracia në Veprim prezanton planin dhe përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve

Rrjeti i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur një konferencë për media ku është prezantuar plani dhe përgatitjet që i ka bërë ky rrjet për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 03 nëntorit 2013. Në konferencë kanë marrë pjesë edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff dhe Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu.

Petrit Zogaj, anëtar i bordit të DnV-së ka folur për përgatitjet që janë bërë deri më tani, duke përfshirë trajnimet, punëtoritë, fushatat vetëdijesuese, debatet, etj, aktivitete këto të mbështetura nga USAID përmes NDI. Ai ka thënë se DnV ka trajnuar në terren 50 vëzhgues afatgjatë përgjegjës për trajnimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe monitorimin e fushatës parazgjedhore. “Demokracia në Veprim ka trajnuar dhe po trajnon gjithsej 1600 vëzhgues për ditën e zgjedhjeve, të cilët do të monitorojnë procesin më 3 nëntor. Demokracia në Veprim do të publikoj rezultatet paraprake për kryetar në tetë (8) komuna të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Mitrovicë të Veriut, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë dhe Pejë”, ka thënë Zogaj në konferencë. 

Në emër të Demokracisë në Veprim, ai u ka bërë thirrje institucioneve, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të angazhohet maksimalisht që aspektet teknike, procedurale dhe organizative ta kenë vëmendjen e duhur, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të shohin zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. 
“Demokracia në Veprim kërkon nga subjektet politike që të respektojnë ligjet, rregulloret dhe të gjitha dokumentet në fuqi në funksion të një fushate të qetë, konkurruese dhe të hapur përballë qytetarëve të Kosovës. Një fushatë e lirë, ku do të ofroheshin programe qeverisëse dhe ku interesi i qytetarëve do të ishte brenga kryesore e subjekteve politike, do tí jepte frymë demokracisë dhe shtetit të sapo filluar”, ka thënë ai.

Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Ian Cliff ka theksuar rëndësinë që kanë këto zgjedhje për Kosovën. “Në shumë vende fokusi është në zgjedhje parlamentare, por duke pasur parasysh situatën në Kosovë, procesin e decentralizimit dhe organizimin edhe në komunat në veri me lehtësimin e OSBE-së, këto zgjedhje janë shumë të veçanta për Kosovën. Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për zgjedhje të lira dhe të drejta. Zgjedhjet e 2010 janë manipuluar dhe manipulimet e dëmtojnë demokracinë.”, ka thënë ambasadori Cliff, ndërkohë ka dhënë mesazhin për të dalë në zgjedhje dhe siç tha ai, është ma mirë se sa bojkotimi. Ai ka shtuar se është më rëndësi të tregohen kërcënimet ose blerja e votave. “Bashkësia ndërkombëtare nuk do të mbyll sytë në parregullsitë. Është shumë keq që nuk ka ndodh reforma zgjedhore, por është me rëndësi që ta kemi para zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë ai. 

Nga ana tjetër, Ambasador i Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Jan Braathu ka vlerësuar faktin se zgjedhjet do të monitorohen edhe nga Bashkimi Evropian. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin në zgjedhje. “Është shumë me rëndësi që qytetarët e Kosovës marrin përgjegjësi për vendin e vetë, këto janë zgjedhjet e juaja. Jam shumë i gëzuar që Demokracia në Veprim do të bëjë monitorimin”, ka thënë ambasadori Braathu, ndërkohë ka shtuar se pjesëmarrja në zgjedhje është shumë e rëndësishme. Ai ka shtuar se nuk mund të gjeni parti politike me të cilën pajtoheni 100%. “Rezultatet ndikojnë në jetën e juaj. Është një mundësi që të angazhoheni në sistem”, ka thënë ndër tjera ambasadori Braathu. 

Në konferencë është thënë po ashtu se Demokracia në Veprim kërkon që Prokuroria e Shtetit të tregohet më aktive se në të gjitha zgjedhjet e kaluara, në mënyrë që shkelësit e ligjeve dhe të procedurave, gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve të hetohen dhe të ndëshkohen. Ky do të ishte shembulli më i mirë që qytetarëve të vendit tu jepet mesazh i përkushtimit nga ky institucion për keqbërësit dhe shkelësit e ligjit. 

Po ashtu, Demokracia ne Veprim ju benë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të përcjellin fushatën zgjedhore, te jenë pjesë aktive e diskutimeve për programet e subjekteve politike dhe te kandidateve te tyre, si dhe t’i sfidojnë ato programe me problemet qe ata kanë. Demokracia në Veprim kërkon që qytetarët të jenë aktiv në këto zgjedhje dhe të dalin në numër sa më të madh, duke ushtruar kështu të drejtën kushtetuese dhe njëkohësisht duke adresuar problemet dhe sfidat për qeverisjen lokale. 

Një risi e monitorimit të këtyre zgjedhjeve nga Demokracia në Veprim do të jetë ofrimi i mundësisë për qytetarët që përmes një uebfaqeje interaktive t’ju ofrojë qytetarëve mundësi që të njoftojnë për parregullsitë potenciale që ata mund të hasin gjatë procesit zgjedhor. Për më tepër, në partneritet me Fondacionin SOROS, Demokracia në Veprim, do të ofrojë qytetarëve mundësinë që përmes SMS falas të dërgojnë mesazhe për parregullsitë që hasin gjatë procesit zgjedhor në numrin: 500 88. 



Postime të ngjajshme
Të ndryshme

DnV: Procesi i votimit fillon në kohë

BallinaKomunikatë për mediaTë ndryshme

DnV: Fushatë zgjedhore e qetë, me ofertë të pasur programore, por me neglizhencë të masave anti-COVID

Të ndryshme

PARTITË POLITIKE VS TRANSPARENCA NË FUSHATË

Të ndryshme

DnV prezanton raportin e parë javor nga monitorimi i fushatës zgjedhore dhe mediave

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *