BallinaKonferencat për media

DnV: Nis procesi i votimit, 3% e vendvotimeve hapen me vonesë

Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor bazuar në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Gjithsej 500 vëzhgues statikë janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme. Vëzhguesit gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit.

Hapja e vendvotimeve

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2382 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve.

Vonesat kryesisht ndërlidhen me mungesën e materialeve zgjedhore si: mungesa e zarfeve të fletëvotimeve me kusht në 6% të vendvotimeve, vulat, Lista e Votuesve, UV llampa, si dhe Spreji kanë munguar në 3% të vendvotimeve.

Prania e materialit propagandues

Heshtja zgjedhore 24 orë para ditës së zgjedhjeve u mundëson votuesve që të reflektojnë lirshëm mbi preferencat e tyre partiake dhe i kontribuon një ambienti të lirë zgjedhor. Prezenca e materialeve propaganduese të subjekteve politike në ditën e zgjedhjeve mund të shihet si ndikim në përcaktimin e votës së tyre për subjektin e caktuar.

Vëzhguesit e DnV-së,  kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vetëm në 1% të Qendrave të Votimit.

Votimi në kushte të pandemisë

Për të garantuar respektimin e masave parandaluese kundër COVID19 të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, KQZ ka dizajnuar posterë që përbajnë udhëzime të detajuara dhe të qarta, të cilave qytetarët duhet t’u përmbahen gjatë procesit të votimit në mënyrë që t’a ruajnë shëndetin e tyre (psh. Vendosja e maskës, mbajtja e distancës dhe dezinfektimi i duarve). Sidoqoftë, DnV ka evidentuar që këta posterë nuk janë vendosur në 5 % të Qendrave  të Votimit.

Poashtu, është evidentuar se komisionerët në 97% të vendvotimeve janë të pajisur me pajisje mbrojtëse (maska 97%, dorëza  59%, dezinfektues 94 %).

Qasja e personave me aftësi të kufizuar në Qendra të Votimit

E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim.  Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuar fizike.

Është raportuar se 30% e Qendrave të Votimit  në nivel vendi nuk kanë infrastrukurë adekuate për qasje të personave me aftësi të kufizuara.

Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve

Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht garancive ligjore dhe kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile për pjesëmarrje të barabartë.

Pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime është 31%, më e ulët se në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2019-tës që ishte 35%. Ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale të 2017-tës, ishte 29 %.

DnV fton të gjithë qytetarët dhe akterët tjerë pjesëmarrës në zgjedhje që gjatë procesit të votimit t’u përmbahen në mënyrë strikte rregullave për parandalimin e përhapjes së COVID19 siç është bartja e maskës në mënyrë të duhur, respektimi i distancës sociale apo mosgrumbullimi i panevojshëm dhe dezinfektimi i duarve.

*** Për konferencën e rradhës, DnV do të informojë mediat 30 minuta më herët.

***
Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për  vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 Shkurtit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Kjo metodë e bazuar në parime statistikore mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi. Për ditën e zgjedhjeve, DnV ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve.

Postime të ngjajshme
BallinaKomunikatë për media

DnV: Numërimi të reflektojë procesin e deritanishëm të votimit

BallinaKomunikatë për media

DnV: Proces i rregullt i votimit dhe respektim i kënaqshëm i masave anti-covid

BallinaKomunikatë për media

DnV: Gjithçka gati për votim të rregullt e të sigurt

BallinaKomunikatë për mediaTë ndryshme

DnV: Fushatë zgjedhore e qetë, me ofertë të pasur programore, por me neglizhencë të masave anti-COVID

Regjistrohu në faqen tonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *