Përvoja jonë në vëzhgim të zgjedhjeve filloi me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të vitit 2007 kur DnV, e përbërë nga 11 organizata, me qëllim të garantimit të integritetit zgjedhor, vendosi të stacionojë vëzhgues në secilin vendvotim në Kosovë. Që nga 2007, DnV ka vëzhguar pothuajse të gjitha proceset zgjedhore në nivel qëndror dhe lokal. Strategjia e DnV-së për vëzhgim të proceseve zgjedhore ka përfshirë monitorimin e të gjitha fazave dhe operacioneve zgjedhore, duke përfshirë punën e KQZ-së dhe KKZ-ve, monitorimin e fushatës zgjedhore, Ditës së Zgjedhjeve, procesin e numërimit në Qendrën për Numërim dhe Rezultate dhe përfundimisht procesin e shqyrtimit të ankesave zgjedhore nga PZAP.
Në çdo palë zgjedhje që nga 2007, DnV ka angazhuar mesatarisht 3000 vëzhgues. Llogaritet që numri i vëzhguesve dhe vullnetarëve që kanë kontribuar në misionet vëzhguese të DnV-së nga 2007 e deri në vitin 2024 është 35 mijë.
Paanëshmëria, raportimi i saktë dhe publikimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve vetëm pak orë pas mbylljes së vendvotimeve, ka bërë që DnV të gëzojë një reputacion dhe një besueshmëri të lartë të publikut, subjekteve politike dhe akterëve të tjerë.